Vera dhe temperaturat e larta mund të kthehen në një sfidë serioze për personat me probleme kardiovaskulare, por edhe për individë të shëndetshëm që ekspozohen ndaj vapës, dehidratimit dhe aktivitetit fizik intensiv në oraret e papërshtatshme.
Në emisionin “Diagnozë”, autorja dhe moderatorja Freskida Miloti zhvilloi një bisedë me Dr. Arsida Gjapin, mjeke kardiologe me eksperiencë profesionale në Shqipëri dhe Gjermani, e specializuar në mjekësinë e brendshme, kardiologji dhe kujdes intensiv.
Sipas kardiologes, temperaturat e larta shkaktojnë një sërë ndryshimesh në organizëm. Enët e gjakut zgjerohen për të ndihmuar trupin të largojë nxehtësinë, ndërsa djersitja çon në humbje të lëngjeve. Si pasojë, zemra mund të detyrohet të punojë më shumë për të ruajtur furnizimin me gjak të organeve.
“Gjatë rritjeve të temperaturave, enët e gjakut hapen, ulet tensioni, dehidratohemi dhe zemra detyrohet të rrahë më shpejt”, shpjegoi Dr. Gjapi.
Kush është më i rrezikuar?
Vëmendje e veçantë, sipas saj, duhet t’u kushtohet personave mbi 65 vjeç, pacientëve me hipertension, insuficiencë kardiake, sëmundje kronike të veshkave, diabet, sëmundje koronare apo atyre që kanë kaluar më parë infarkt të miokardit.
Por temperaturat e larta nuk prekin vetëm pacientët e diagnostikuar me sëmundje të zemrës. Edhe personat e rinj mund të përballen me probleme nëse ekspozohen ndaj kushteve ekstreme ose e teprojnë me aktivitetin fizik.
Aktiviteti fizik në verë: kur kthehet në rrezik?
Aktiviteti fizik mbetet i rëndësishëm për shëndetin e zemrës, por gjatë ditëve të nxehta duhet zgjedhur me kujdes koha dhe intensiteti i ushtrimeve.
Dr. Gjapi solli në emision edhe një rast nga përvoja e saj në urgjencë, ku një 25-vjeçar u paraqit me shenja që ngjanin me një infarkt miokardi, pas aktivitetit fizik intensiv të kryer në një orar me temperatura të larta.
Sipas saj, ecja, noti dhe çiklizmi mund të jenë zgjedhje të mira, por aktiviteti duhet përshtatur me temperaturën, gjendjen shëndetësore dhe nivelin e përgatitjes fizike.
Për ditët e nxehta, ajo rekomandoi shmangien e aktivitetit fizik në orët e pikut të temperaturave dhe zgjedhjen e orëve më të freskëta të ditës./ad
