Last Updated on 30/11/2025 by EL
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, reagoi ndaj deklaratës së Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, e cila, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, deklaroi se zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë “të lira dhe të ndershme”.
Gjekmarkaj bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë paraprake me komisioneren Kos, në praninë e ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, para deklaratës së saj publike që ngjalli debat. Ai theksoi se kishte paraqitur shqetësimet e opozitës mbi procesin zgjedhor dhe problemet që, sipas tij, kanë cenuar standardet demokratike në vend.
“Pata mundësinë të diskutoja me zonjën Kos dhe ambasadorin Gonzato për shqetësimet e opozitës dhe për çështjet serioze që preokupojnë vendin sot. Por deklarata e saj më pas më surprizoi, sepse nuk e prisja që ajo të interpretonte raportin e OSBE/ODIHR-it në mënyrë të njëanshme,” tha Gjekmarkaj, duke shtuar se, për arsye etike, nuk do të zbulojë detajet e bisedës.
Ai theksoi se raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit përmban kritika të forta, të cilat, sipas tij, përgënjeshtrojnë vlerësimin optimist të komisioneres.
“Raporti i OSBE-së nuk e mbështet deklaratën e zonjës Kos. Të thuash se zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme, kur dokumenti zyrtar identifikon probleme madhore, është një qëndrim që, fatkeqësisht, tingëllon si një favor i panevojshëm për kryeministrin,” u shpreh ai.
