Last Updated on 30/10/2026 by Anisa
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të zhvillojë këtë të premte konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Takimi i parë pritet të zhvillohet në orën 09:00, me përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
Në vijim në orën 11:00, në Presidencë pritet të mbërrijnë edhe përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate, të drejtuar nga Tom Doshi. Ndërkohë, Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Mundësia, Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë kanë njoftuar se nuk do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kreut të shtetit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi këtë proces si një “teatër politik”, duke u shprehur se Presidenti duhet të përqendrohet te shqetësimet që lidhen me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Konsultimet e thirrura nga Begaj zhvillohen në kuadër të procedurave për dekretimin e datës së zgjedhjeve vendore, të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit 2027. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të zhvillohen ditën e diel, në periudhën 15 prill-15 maj 2027, ndërsa afati i fundit për shpalljen e datës është 6 nëntori.
Deri më tani, asnjë nga partitë politike nuk ka propozuar publikisht një datë konkrete. Muaji maj mbetet në diskutim për zhvillimin e procesit zgjedhor./ad
