Last Updated on 28/12/2025 by EL
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka deklaruar se procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë është duke vijuar normalisht. Ai tha se në gjashtë komuna janë evidentuar probleme me energji elektrike.
Sipas tij problemet janë pikasur në Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan. Kreu i KQZ shtoi se problemi është zgjidhur. Radoniqi tha se janë në komunikim me KEDS-in po nuk e përjashtoi mundësinë që sërish të ketë probleme me energji elektrike.
“Sipas raportit të orës 11:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar probleme të energjisë elektrike në gjashtë qendra të votimit, që i takojnë komunave Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan. Komisionet komunale kanë njoftuar KEDS-in.
Po ashtu kemi pranuar njoftimin nga Komuna e Rahovecit, ku në një qendër të votimit është vërejtur se fletëvotimet kanë shenja të dukshme në numra. Çështjet me energji, pasi janë raportuar, janë zgjidhur. A presim që të kemi prapë probleme me energji, është e mundshme.
E kemi alarmuar këtë çështje ditë më parë, por zyrtarët e KEDS-it janë në terren dhe në komunikim të vazhdueshëm me KQZ-në. Për çdo mungesë të energjisë janë në detyrë dhe do të reagojnë”, shtoi Radoniqi./e.t
