Ndikimi i Luciano Spallettit te Juventusi ka qenë i menjëhershëm dhe dukshëm pozitiv. Pas një fillimi sezoni jo bindës, bardhezinjtë kanë gjetur stabilitet dhe identitet, duke i dhënë drejtuesve arsye të forta për të menduar jo vetëm për vazhdimin e projektit me trajnerin italian, por edhe për një merkato ambicioze.
Klubi nga Torino ishte në kërkim të një kthesë vendimtare dhe Spalletti arriti ta japë atë në një kohë të shkurtër. Për këtë arsye, në zyrat e “Allianz Stadium” po diskutohet seriozisht rinovimi i kontratës së trajnerit, si pjesë e një plani afatmesëm për rikthimin e Juventusit në majat e futbollit italian dhe europian.
Paralelisht me këtë, merkatoja mbetet një prioritet. Sipas La Gazzetta dello Sport, Juventusi ka identifikuar shtatë emra konkretë për të përforcuar skuadrën në repartet kyçe.
Në portë, objektivi kryesor është Christos Mandas. Portieri 24-vjeçar i Lazios shihet si pasues i mundshëm i Mattia Perin, në rast se ky i fundit largohet nga Torino. Sa i përket mbrojtjes, në listë janë Radu Dragusin i Tottenhamit dhe Brooke Norton-Cuffy, aktualisht pjesë e Genoas.
Fokusi më i madh, megjithatë, mbetet mesfusha. Juventusi po monitoron me interes situatën e Davide Frattesit te Interi, ndërsa në radar janë edhe Pierre-Emile Højbjerg i Marseille, Sandro Tonali i Newcastle United dhe talenti 20-vjeçar Axel Tóth nga Ferencváros.
Me këtë strategji, bardhezinjtë synojnë të ndërtojnë një skuadër të balancuar mes eksperiencës dhe energjisë së re, duke i dhënë Spallettit mjetet e duhura për të konkurruar në të gjitha frontet e sezonit./ET
