Zhakuin Biset (Jacqueline Bisset), një ikonë e stilit dhe erotizmit që së fundmi ka mbushur 81 vjeç, u shfaq sot në Festivalin e Filmit në Torino, ku mori çmimin “Stella della Mole” dhe dha një intervistë të sinqertë e pa dorashka.
Aktorja britanike – me baba anglez me rrënjë skoceze dhe nënë franceze – mbetet një yll me parime të forta, por pa dëshirë për t’u vetëlavdëruar.
“Po, refuzova rolin në 9 1/2 Weeks”
E pyetur nëse është e vërtetë që refuzoi rolin e famshëm në filmin 9 javë e gjysmë, Biset shpjegoi:
“Bisedova me produksionin për një vit e gjysmë. Kërkuam çdo mënyrë të mundshme për të shmangur lakuriqësinë, për të cilën nuk isha gati. Dhe, e pranoj, nuk kisha ndjesi të mirë me Majki Rurk (Mickey Rourke). Asgjë kundër tij, por shpesh më trembnin mënyrat e tij. Mendoja se do të kishte probleme.”
Aktorja shtoi se lodhja nga rolet pranë aktorëve më të rinj dhe muzika e zgjedhur nga regjisori Adrian Lajn (Adrian Lyne) e bindën përfundimisht ta refuzonte:
“Kur dëgjova muzikën e zgjedhur nga Lajn, e kuptova që nuk do të përputheshim kurrë.”
“Bukuria? Një temë e mërzitshme”
E pyetur sa i detyrohet suksesit pamjes së saj, Biset u përgjigj prerë:
“Nuk më pëlqen të flas për pamjen time. Është e mërzitshme. Sipas meje, është e pahijshme të komentosh një dhuratë të Zotit.”
Kundër vulgaritetit modern
Duke folur për imazhin e sotëm të femrës dhe kulturën e rrjeteve sociale, aktorja tha:
“Nuk më pëlqejnë gratë që përpiqen të jenë provokuese me çdo kusht. Disa qëndrime thjesht nxisin burrat. Instinkti mashkullor është të ‘përhapë farën’ — nuk debatoj me këtë. Por gratë duhet të jenë më të qeta, më diskrete.”
Ajo kritikoi edhe fenomenin e ekspozimit online:
“Shikoj njerëz që kërcejnë gjysmë lakuriq, që vishen provokuese, madje që bëjnë pothuajse seks në video. Mendoj se është gabim.”
Roman Polanski: “Më torturoi me ‘të qeshurën budallaqe’”
Biset kujtoi ditët në xhirimet e Cul-de-sac të Roman Polanskit:
“Fatmirësisht nuk mora rolin e Fransoaz Dorleak (Françoise Dorléac); nuk do ta kisha përballuar. Luajta vetëm një rol të vogël. Por Roman më torturoi: më kërkoi të bëja ‘një të qeshur budallaqe’. U paralizova. U stërvita gjithë natën. Të nesërmen më tha: ‘Jo, nuk do ta bëjmë më, po e ndryshoj skenën.’”
Poul Njumën (Paul Newman)
Aktorja foli me dashuri për kolegun legjendar:
“Poul Njumën ishte i sjellshëm, me zemër të madhe, por edhe shumë i turpshëm. Ishte shakaxhi i tmerrshëm – qeshte para se të thoshte batutën. Nuk i pëlqente fare të ndiqej për autografe.”
Kujtimi nga Roma në filmin “La donna della domenica”
Për filmin e vitit 1975 të Luixhi Komencinit (Luigi Comencini), Biset kujtoi:
“Më pëlqyen fustanet, miqësia e personazheve, dhe mënyra si Komencini arrinte të sillte gëzimin fëmijëror. Por Marsello Mastrëiani (Marcello Mastroianni)… ai më frikësonte aq shumë.”
Në Torino, Zhakuin Biset shkëlqeu jo vetëm si yll i kinemasë, por si një grua e mençur, ironike, e lirë dhe krejt e pakonformuar me botën e sotme të zhurmshme e provokuese.
Përgatiti: L.Veizi
