Kombëtarja shqiptare U-19 zhvilloi pasditen e sotme ndeshjen e parë të grupit B4 në kualifikueset e Europianit, duke u përballur me Luksemburgun në “Shtëpinë e Futbollit”. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Fatjon Tafaj zhvilluan një ndeshje të luftuar, por u mposhtën me rezultatin 2-1.
Pavarësisht disavantazhit të dyfishtë në pjesën e parë, ku miqtë shënuan në minutat 28-të dhe 35-të kuqezinjtë reaguan menjëherë.
Arman Durmishi ngushtoi shifrat në minutën e 44-t, pas një aksioni të bukur të nisur nga një anësore e Cekrezit, duke rikthyer skuadrën në lojë për pjesën e dytë.
Në fraksionin e dytë, Shqipëria U-19 tregoi dominim në lojë, duke krijuar disa raste të rrezikshme për gol, por pa arritur të konkretizojë. Pavarësisht përpjekjeve, sfida u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të Luksemburgut.
Në ndeshjen tjetër të grupit B4, Norvegjia fitoi 1-0 ndaj Maltës në stadiumin “Niko Dovana”.
Kombëtarja do të luajë më 28 mars ndaj Maltës ndeshjen e dytë të këtij raundi. Takimi do të zhvillohet po në “Shtëpinë e Futbollit” në ora 15:00./mxh
