Zjarret kanë përfshirë disa zona në Ballkan, duke vënë në vështirësi ekipet e emergjencave.
Në Maqedoninë e Veriut, ekipet zjarrfikëse u përballën me vështirësi të mëdha për të arritur në vatrën kryesore të zjarrit në zonën e Strumicës, në jug të vendit.
Sipas raportimeve mediatike, flakët kanë prekur edhe zonat e banuara. Të paktën një banesë raportohet të jetë përfshirë nga zjarri në fshatin Sofilar, duke rritur shqetësimin për sigurinë e banorëve.
Vala e zjarreve vjen në një periudhë thatësire të rëndë që ka prekur një pjesë të madhe të Ballkanit, duke krijuar kushte të favorshme për përhapjen e shpejtë të flakëve.
Situata mbetet kritike edhe në Serbi, ku ekipet zjarrfikëse vijuan të luftojnë një zjarr të madh në rezervatin natyror Deliblato Sands.
Zjarri, që prej javësh po përparon në një terren të veçantë me sipërfaqe pyjore, ndodhet rreth 80 kilometra nga Beogradi. Përballë vështirësive për ta vënë nën kontroll, Serbia aktivizoi më 21 gusht Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.
Ndihma evropiane përfshin katër helikopterë Black Hawk për shuarjen e zjarreve, të dërguar nga Rumania, Sllovakia dhe Republika Çeke.
Në terren pritet të angazhohen gjithashtu 55 zjarrfikës dhe 24 automjete nga Gjermania, si dhe 69 zjarrfikës e 15 automjete nga Rumania./mxh
