Last Updated on 09/08/2026 by Anisa
Zjarri masiv që përfshiu zonën e Malit të Krujës është vënë plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit. Lajmin e ka bërë të ditur ministri Ermal Nufi, i cili ka vlerësuar angazhimin e të gjitha strukturave operacionale në terren.
Sipas ministrit, një pjesë e vogël e vatrës së mbetur në majë të malit po menaxhohet nga ajri, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
“Situata është krejtësisht e qetë dhe fatmirësisht një katastrofë e mundshme u parandalua”, u shpreh Nufi, duke theksuar përmasat e operacionit të zhvilluar gjatë gjithë natës.
Në terren u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe më shumë se 200 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët punuan pa ndërprerje përgjatë gjithë perimetrit të zonës së prekur nga flakët.
Pas vënies së situatës nën kontroll, pjesa më e madhe e forcave është rishpërndarë, ndërsa vijon monitorimi i zonës për të shmangur çdo riaktivizim të vatrave të zjarrit.
Fatmirësisht, nga zjarri nuk është shënuar asnjë viktimë dhe asnjë banesë nuk është dëmtuar. Sipas ministrit, e vetmja godinë e shkrumbuar është një magazinë në pronësi të një biznesi.
Në përfundim të reagimit të tij, Nufi ka shprehur mirënjohje për të gjithë efektivët që u angazhuan në operacionin për shuarjen e flakëve.
“Falënderim dhe mirënjohje pa kufij për përkushtimin dhe sakrificën e veçantë të secilit prej efektivëve të forcave operacionale që luftuan në mënyrë të paepur për shuarjen e zjarrit masiv në Malin e Krujës”, deklaroi ai./ad
