Last Updated on 20/07/2025 by adminfjala
Nga Fejzo Subashi
Zoti President,
Në një kohë kur rajoni lëkundet në pasiguri, kur tensionet në Kosovë prekin drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shqiptarëve, kur liderë botërorë si Presidenti i Shteteve të Bashkuara shprehin shqetësim të hapur për zhvillimet atje, heshtja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë është jo vetëm zhgënjyese, por e pafalshme.
Nuk mund të justifikohet më një profil institucional që ndjek agjendën si një kalendar ceremonial, ndërkohë që historia e kombit shkruhet pa praninë tuaj. Kur Kosova sfidohet politikisht, kur proceset e integrimit europian ngadalësohen, kur Shqipëria përballet me krizë besueshmërie në sytë e qytetarëve dhe partnerëve, mungesa juaj është më shumë se indiferencë, është shenjë mosndërgjegjësimi.
Zoti President, nuk jeni as komentator, as spektator. Jeni simbol i unitetit kombëtar. Edhe nëse kushtetuta jua kufizon pushtetin ekzekutiv, nuk jua kufizon dot zërin, përgjegjësinë dhe qëndrimin moral. Heshtja, në kohë krize, është qëndrim. Dhe ju, fatkeqësisht, po rreshtoheni në anën e gabuar të heshtjes.
Këshilltarët tuaj, të përzgjedhur sipas preferencës suaj, paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Detyra e tyre nuk është t’ju shoqërojnë në fotografi apo të hartojnë fjalime pa nerv publik. Detyra e tyre është t’ju mbajnë zgjuar përballë sfidave që kërkojnë lidership, vizion dhe dinjitet përfaqësues. Nëse nuk janë të aftë për këtë, ndërroni ata. Nëse nuk janë të ndershëm, largoni ata. Nëse nuk doni t’i dëgjoni, atëherë përballuni vetë me përgjegjësinë e mungesës.
Koha që ju mbetet në këtë mandat mund të jetë e shkurtër, por mjafton një veprim i vetëm i ndershëm, i guximshëm dhe në kohë për të ndryshuar kujtesën publike. Historia e Shqipërisë ka presidentë që janë mbajtur mend jo për pushtetin që patën, por për kurajën që treguan. Mos lejoni të bëheni përfaqësuesi i parë që do të mbahet mend vetëm për pasivitetin. Mos e lini në trashëgimi vetëm fjalinë therëse që po përhapet gjithnjë e më shpesh:
“Begaj si erdhi, iku.”
Kombi nuk ka luksin e një Presidenti të padukshëm.
Tiranë më 20.07.2025/kb