Çdo ditë marrim qindra vendime. Disa janë aq të vogla sa “çfarë do të vesh sot?”, ndërsa disa të tjera kanë potencialin të ndryshojnë komplet drejtimin e jetës sonë. Sepse jeta nuk ndërtohet vetëm nga rastësitë, por nga zgjedhjet që bëjmë vazhdimisht: kë zgjedhim të kemi pranë, çfarë duam nga vetja, si e imagjinojmë të ardhmen dhe çfarë nuk jemi më në gjendje të tolerojmë.
Dhe po, disa vendime të mëdha të trembin. Të krijojnë ankth. Të mbajnë zgjuar natën. Por problemi është se askush nuk na mëson realisht si t’i marrim. Prandaj, më poshtë janë 11 vendimet që pothuajse çdo person përballet t’i marrë në një moment të jetës dhe pse ato ndikojnë më shumë seç mendon.
11 vendimet më të rëndësishme që çdo njeri duhet
1. Do të duhet të marrësh guximin për të marrë një vendim të madh
Shumë njerëz presin “momentin perfekt” për të vendosur. Vetëm se ai moment pothuajse nuk vjen kurrë.
Vendimet e mëdha nuk ndodhin gjithmonë si në filma, me një zbulim dramatik brenda natës. Shpesh janë procese të gjata, me dyshime, frikë dhe shumë “po sikur?”. Por pjesa më e vështirë është të pranosh që askush nuk mund ta marrë vendimin për ty.
Të zgjedhësh një punë tjetër, të largohesh nga një marrëdhënie, të ndryshosh qytet apo të nisësh jetën nga e para kërkon diçka që njerëzit e nënvlerësojnë: përgjegjësi personale. Sepse në fund duhet të jetosh me pasojat e zgjedhjes tënde, jo të dikujt tjetër.
Dhe ironikisht, shpesh vendimi më i keq është të mos vendosësh fare.
2. Do të duhet të zgjedhësh veten tënde të parën
Ka një moment në jetë kur kupton se askush nuk do të vijë të të shpëtojë.
Askush nuk mund të bëjë “punën e brendshme” për ty: të shërojë pasiguritë, të të rrisë vetëbesimin apo të të nxjerrë nga mendimet negative. Dhe pikërisht aty fillon zgjedhja më e rëndësishme: a do vazhdosh të qëndrosh në të njëjtat modele që të bëjnë keq, apo do fillosh të investosh te vetja?
Të zgjedhësh veten nuk do të thotë egoizëm. Do të thotë të kujdesesh për shëndetin mendor, kufijtë emocionalë, trupin, qetësinë dhe zhvillimin tënd, pa pritur validim nga të tjerët.
Sepse njerëzit që ndihen mirë me veten zakonisht marrin edhe vendime më të shëndetshme për jetën e tyre.
11 vendimet më të rëndësishme që çdo njeri duhet
3. Do të duhet të përcaktosh vlerat e tua
Çfarë ka realisht rëndësi për ty? Jo për familjen. Jo për shoqërinë. Jo për Instagramin. Për ty.
Ky është një nga vendimet më të rëndësishme sepse vlerat personale ndikojnë çdo zgjedhje tjetër: partnerin që zgjedh, stilin e jetës, karrierën, mënyrën si trajton njerëzit dhe gjërat që nuk pranon më.
Dikush mund të ketë prioritet qëndrueshmërinë financiare. Dikush tjetër lirinë. Dikush familjen. Dikush qetësinë mendore.
Problemi është se shumë njerëz jetojnë vite të tëra duke ndjekur pritshmëritë e të tjerëve dhe jo atë që i bën të lumtur. Vetëm më vonë kuptojnë që kanë ndërtuar një jetë që nuk u përshtatet fare.
Dhe patjetër, vlerat ndryshojnë me kalimin e kohës. Ajo që doje në të 20-at mund të mos të mjaftojë më në të 30-at.
11 vendimet më të rëndësishme që çdo njeri duhet
4. Do të duhet të kuptosh çfarë i jep kuptim jetës tënde
Jo të gjithë kanë një “thirrje të madhe” në jetë dhe kjo është normale. Por çdo njeri ka nevojë të ndiejë që po jeton për diçka që ka kuptim për të. Për disa është familja. Për disa puna. Për disa krijimtaria, ndihma ndaj të tjerëve, liria apo qetësia.
Kur nuk e di çfarë të motivon realisht, është shumë më e lehtë të ndihesh bosh edhe kur nga jashtë duket sikur “i ke të gjitha”.
Njerëzit që kanë një sens qëllimi zakonisht marrin vendime më të qarta, përballojnë më mirë periudhat e vështira dhe ndihen më të lidhur me jetën e tyre të përditshme.
Dhe jo, nuk është diçka që e kupton gjithmonë menjëherë. Shpesh zbulohet gradualisht.
5. Do të duhet të zgjedhësh me kujdes partnerin e jetës
Ndoshta vendimi që ndikon më shumë në jetën tënde është: me kë vendos ta ndash atë.
Partneri yt ndikon te shëndeti emocional, financat, mënyra si e sheh veten, energjia e shtëpisë, planet për të ardhmen dhe madje edhe shëndeti fizik.
Problemi është se shumë njerëz marrin vendime afatgjata gjatë fazës së “dashurisë intensive”, kur emocionet janë në maksimum dhe flamujt e kuq shpesh duken si “gjëra të vogla”.
Por të jetosh me dikë nuk është vetëm kimi. Është përputhshmëri emocionale, mënyra si zgjidhni konfliktet, respekti, përgjegjësia dhe aftësia për të kaluar periudha të vështira bashkë.
Sepse një partner i gabuar mund ta bëjë jetën shumë më të rëndë. Ndërsa ai i duhuri mund ta bëjë gjithçka më të lehtë.
11 vendimet më të rëndësishme që çdo njeri duhet
6. Do të duhet të vendosësh nëse do fëmijë apo jo
Shoqëria sillet sikur të gjithë duhet ta duan patjetër prindërimin. Por realiteti është që të kesh fëmijë është një nga vendimet më personale dhe transformuese që ekziston.
Një fëmijë ndryshon mënyrën si jeton, fle, mendon, planifikon kohën dhe të ardhmen. Dhe ndryshe nga puna apo qyteti ku jeton, ky është një vendim që nuk “zhbëhet”.
Prandaj është normale të mendosh seriozisht:
A e dua realisht këtë?
A jam emocionalisht gati?
A dua stilin e jetës që vjen me prindërimin?
Dhe është po aq normale edhe të mos duash fëmijë.
7. Do të duhet të zgjedhësh me kë do të kesh fëmijë
Të bëhesh prind është një gjë. Të zgjedhësh personin me të cilin do ndash këtë përgjegjësi është një tjetër nivel rëndësie.
Sepse edhe nëse marrëdhënia mbaron, lidhja mes jush pothuajse nuk zhduket kurrë plotësisht.
Personi me të cilin ke fëmijë ndikon te qëndrueshmëria emocionale e shtëpisë, mënyra si rriten fëmijët, komunikimi, konfliktet dhe qetësia afatgjatë e jetës tënde.
Prandaj “kimia” nuk mjafton. Duhet të shohësh si ai person sillet nën stres, si komunikon, sa përgjegjshmëri ka dhe sa i aftë është të ndërtojë partneritet të vërtetë.
11 vendimet më të rëndësishme që çdo njeri duhet
8. Do të duhet të vendosësh sa thellë do lidhet jeta jote me dikë tjetër
Jo çdo marrëdhënie kërkon të njëjtin nivel angazhimi. Disa njerëz duan bashkëjetesë, martesë, fëmijë dhe plane afatgjata. Të tjerë jo. Dhe problemi fillon kur njerëzit hyjnë në marrëdhënie pa qenë të qartë çfarë kërkojnë vërtet.
Sepse sa më shumë ta lidhësh jetën me dikë – emocionalisht, financiarisht, familjarisht – aq më shumë ndikohesh nga zgjedhjet dhe qëndrueshmëria e atij personi.
Kjo nuk do të thotë të kesh frikë nga dashuria, por të kuptosh që lidhjet serioze nuk janë vetëm emocione, janë edhe përgjegjësi.
9. Do të duhet të zgjedhësh mënyrën si mendon
Mendësia jote ndikon pothuajse çdo aspekt të jetës. Dy njerëz mund të kalojnë të njëjtën situatë dhe ta përjetojnë komplet ndryshe vetëm nga mënyra si e interpretojnë.
Njëri mendon:
“Dështova, nuk vlej.”
Tjetri:
“Dakord, kjo nuk funksionoi. Çfarë mësova tani?”
Mënyra si flet me veten, si reagon ndaj refuzimit, kritikës apo dështimit krijon gradualisht realitetin tënd emocional.
Mendësia negative shpesh vjen nga eksperiencat e kaluara. Por në një moment duhet të vendosësh nëse do vazhdosh të jetosh sipas frikërave të vjetra apo do krijosh mënyra të reja të të menduarit.
11 vendimet më të rëndësishme që çdo njeri duhet
10. Do të duhet të zgjedhësh prioritetet e tua financiare dhe profesionale
Paratë nuk janë gjithçka, por mungesa e qëndrueshmërisë financiare ndikon pothuajse çdo gjë. Karriera dhe mënyra si menaxhon financat përcaktojnë stilin e jetës, stresin e përditshëm, lirinë personale dhe mundësitë që do kesh më vonë.
Shumë njerëz ndjekin punë që paguajnë mirë, por i shterojnë emocionalisht. Të tjerë zgjedhin pasionin dhe më vonë ndihen të pasigurt financiarisht.
Prandaj pyetjet e vërteta janë:
Çfarë lloj jete dua?
Çfarë jam gati të sakrifikoj?
Sa rëndësi ka qëndrueshmëria për mua?
Vendimi më inteligjent me siguri është të mendosh afatgjatë, jo vetëm për “rrogën e muajit”.
11 vendimet më të rëndësishme që çdo njeri duhet
11. Do të duhet të vendosësh si do duket jeta jote e përditshme
Jeta nuk përbëhet vetëm nga momentet e mëdha, por nga rutina, njerëzit që sheh çdo ditë, energjia e shtëpisë, zakonet, mënyra si zgjohet trupi yt në mëngjes dhe sa i/e qetë ndihesh në jetën që ke ndërtuar.
Miqtë, komuniteti, ambienti ku jeton dhe ritmi i jetës ndikojnë shumë më tepër nga sa kuptojmë zakonisht. Sepse mund të kesh sukses parimisht, por nëse përditshmëria jote të lodh emocionalisht, diçka nuk shkon.
Shumë herë vendimi më i rëndësishëm nuk është të ndryshosh gjithë jetën, por mënyrën si po e jeton çdo ditë./mxh
