Last Updated on 13/05/2025 by adminfjala
17 anëtarët e familjes “El Chapo” Guzmán janë dorëzuar vullnetarisht te autoritetet amerikane ditën e premte, në pikën kufitare San Ysidro, që lidh qytetin meksikan Tijuana me San Diegon në Kaliforni. Lajmi është bërë i ditur nga gazetari meksikan Luis Chaparro, i njohur për raportimet mbi krimin e organizuar, i cili ka publikuar edhe pamje të të afërmve të El Chapos duke mbajtur valixhe dhe duke pritur në radhë për t’u dorëzuar te autoritetet amerikane, përfshirë agjentë të FBI-së.
Mes personave që u dorëzuan ndodhej edhe Griselda López, ish-bashkëshortja e dytë e El Chapos dhe nëna e Ovidio Guzmán López, i njohur si “El Ratón”, i cili u ekstradua në SHBA në vitin 2023.
Ajo shoqërohej nga një vajzë, si dhe disa nipër dhe mbesa të liderit famëkeq të Kartelit të Sinaloas, i cili aktualisht po vuan një dënim me burgim të përjetshëm në SHBA.
Ky veprim vjen pak ditë pas njoftimit se Ovidio Guzmán López ka arritur një marrëveshje me autoritetet amerikane, duke pranuar fajësinë për disa akuza të lidhura me trafikimin e drogës, gjatë një seance gjyqësore të mbajtur më 6 maj në një gjykatë federale në Çikago.
Dorëzimi i papritur i pjesëtarëve të familjes së një prej bosëve më të fuqishëm të drogës në histori, ka ngjallur reagime të shumta dhe spekulime mbi arsyet që fshihen pas këtij vendimi. Deri tani, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare për qëllimin apo statusin ligjor të tyre. m.p.