Last Updated on 08/05/2026 by EL
Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se do të fillojë t’u revokojë pasaportat shtetasve amerikanë që kanë borxhe të mëdha për mbështetjen e fëmijëve.
Masat do të prekin prindërit që kanë mbi 2500 dollarë (rreth 1,844 euro) borxh të papaguar, duke u fokusuar tek rastet me detyrime të konsiderueshme.
Sipas Departamentit, kjo është pjesë e përpjekjeve për të mbështetur familjet amerikane dhe për të forcuar zbatimin e ligjit, duke siguruar që prindërit të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe morale ndaj fëmijëve, raporton bbc.
Personat me borxhe të tilla u kërkohet të rregullojnë pagesat përmes agjencive shtetërore për të shmangur revokimin e pasaportës.
Pasi të revokohet, pasaporta nuk mund të përdoret për udhëtime dhe nuk jepet e re derisa borxhi të shlyhet.
Kjo masë bazohet në një ligj federal të vitit 1996 që lejon revokimin e pasaportave për borxhe të mëdha për mbështetjen e fëmijëve, por që rrallë është zbatuar deri tani.
Departamenti i Shtetit do të bashkëpunojë me autoritetet shëndetësore për të identifikuar rastet dhe pritet që zbatimi i politikës të nisë së shpejti, sipas raportimeve. /ET
