Last Updated on 03/08/2025 by adminfjala
Në vitin 1908, në një shpellë pranë La Chapelle-aux-Saints, në jugperëndim të Francës, vëllezërit Bouyssonie – Amédée dhe Jean, të dy priftërinj dhe arkeologë amatorë – bënë një nga zbulimet më të rëndësishme të paleoantropologjisë: skeleton e plotë fosil të një individi të Homo neanderthalensis, i cili besohet se ka jetuar rreth 60,000 vjet më parë.
Ky zbulim kishte rëndësi të madhe, sepse për herë të parë u gjet një skelet thuajse i plotë i një Neandertali, në pozicion varrimi, me gjymtyrët e përkulura dhe të vendosur me kujdes, duke sugjeruar se ishte një varrim i qëllimshëm – një tregues i hershëm i sjelljeve kulturore dhe rituale.
Kush ishin Neandertalët?
Neandertalët përfaqësojnë një nënlloj të zhdukur të gjinisë Homo, të afërt me njeriun modern (Homo sapiens). Ata kanë jetuar në Evropë dhe pjesë të Azisë për rreth 400,000 deri në 40,000 vjet më parë. Emri i tyre vjen nga lugina Neander në Gjermani, ku për herë të parë, më 1856, u zbuluan mbetje të tilla fosile pranë qytetit Düsseldorf.
Lugina Neander e kishte marrë emrin nga Joachim Neander, një pastor protestant dhe autor himnesh i shekullit të 17-të, i cili kishte predikuar në atë zonë. Emri i tij i vërtetë ishte Neumann – që në gjermanisht do të thotë “njeri i ri”, ndërsa “Neander” është forma e latinizuar.
Ngjashmëria me njeriun modern
Neandertalët kanë qenë për dekada subjekt debatesh shkencore rreth pozicionit të tyre evolucionar. Sot dihet se ata ndanin shumë karakteristika me njeriun modern: kishin tru të madh, trup të fuqishëm, përdornin vegla guri të sofistikuara, kontrollonin zjarrin, gjuanin në grup, dhe siç sugjeron edhe skeleti i gjetur në 1908 – kishin praktika funerale.
Studimet gjenetike moderne tregojnë se njerëzit e sotëm jashtë Afrikës mbartin një përqindje të vogël të ADN-së së Neandertalit, gjë që sugjeron se ka pasur ndërveprim dhe përzierje midis tyre dhe Homo sapiens.
Rëndësia e zbulimit në 1908
Zbulimi i vëllezërve Bouyssonie nuk ishte thjesht një gjetje arkeologjike – ai ndryshoi mënyrën si shkenca shihte parahistorinë njerëzore. Për herë të parë, Neandertalët nuk u panë thjesht si krijesa të egra e primitive, por si qenie me ndjeshmëri sociale, të afta për kujdes ndaj të sëmurëve, për ndërtim bashkësish dhe për ndarje simbolike të jetës dhe vdekjes.
Përgatiti: L.Veizi
