Në kulmin e Depresionit të Madh, më 1933, Shtetet e Bashkuara u përballën me një krizë që kishte zhdukur jo vetëm kursimet e qytetarëve, por edhe besimin e tyre te e ardhmja. Miliona amerikanë kishin humbur punën, shtëpitë dhe dinjitetin. Në këtë realitet të zymtë, Presidenti Franklin D. Roosevelt vendosi të ngrejë një “ushtri pune”, që do të sillte jo vetëm të ardhura, por edhe ndjenjën e ringritjes kombëtare.
Kështu lindi Administrata e Punëve Civile (Civil Works Administration – CWA), një nismë që u shpall si pjesë e programit të gjerë të “New Deal”-it. Qëllimi ishte i qartë: të krijoheshin vende pune të përkohshme për më shumë se katër milionë amerikanë gjatë dimrit të acartë të viteve 1933–1934.
Puna nuk kërkonte kualifikime të larta. Qytetarët angazhoheshin në ndërtimin e rrugëve, riparimin e shkollave, ngritjen e urave, shtrimin e linjave elektrike apo edhe në projekte të thjeshta komunitare. Pagat ishin modeste, por ato rikthyen lëvizjen e parasë dhe një ndjenjë të re besimi në shoqërinë amerikane.
Megjithëse CWA zgjati vetëm disa muaj, ndikimi i saj ishte i thellë. Brenda pak kohësh, ajo arriti të punësojë miliona njerëz që, deri dje, kishin qëndruar në radhë për një racion supë. Për shumë historianë, kjo periudhë përbën një moment kthese – shembullin e parë të ndërhyrjes masive të shtetit për të ringjallur ekonominë dhe shpresën e qytetarëve.
Në një Amerikë të rrënuar nga kriza, Roosevelt nuk premtoi mrekulli, por punë. Dhe për miliona duar që mbanin lopata në borë, ajo punë ishte fillimi i ringritjes.
Përgatiti: L. Veizi
