Në dhjetor të vitit 1954, në Washington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Kinës (Tajvani) nënshkruan Traktatin Kino-Amerikan të Mbrojtjes së Ndërsjellë, një pakt që do të përcaktonte për gati një çerek shekulli balancat e sigurisë në Azi. Ky traktat, i cili hyri zyrtarisht në fuqi në vitin 1955 dhe zgjati deri në 1979, përbënte garancinë më të fortë politike dhe ushtarake që Uashingtoni i kishte dhënë ndonjëherë Tajvanit.
Në thelb, pakti i siguronte Tajvanit mbrojtje kundër çdo sulmi të mundshëm të Republikës Popullore të Kinës, e cila pas Luftës Civile kineze të vitit 1949 e konsideronte ishullin si territor të sajin të shkëputur. Si rezultat, traktati shërbeu si një pengesë strategjike që e ndaloi Pekinin të ndërmerrte veprime ushtarake për të rikthyer ishullin nën kontrollin e vet.
Megjithatë, dinamika e marrëdhënieve ndërkombëtare ndryshoi në fund të viteve ’70. Kur SHBA vendosi të njohë zyrtarisht Republikën Popullore të Kinës në vitin 1979, traktati u shfuqizua. Një pjesë e angazhimeve amerikane ndaj Tajvanit u ruajt përmes Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, po atë vit, duke siguruar që mbështetja politike dhe ushtarake ndaj ishullit të mos ndërpritej plotësisht.
Edhe sot, ky traktat historik mbetet një pikë referimi në debatin e gjerë mbi sigurinë e Tajvanit dhe rolin e SHBA-së në Indo-Paifik, duke dëshmuar se aleancat e së kaluarës vazhdojnë të ndikojnë fuqishëm arkitekturën e sotme gjeopolitike.
Përgatiti: L.Veizi
