Më 2 dhjetor 1993, në qytetin Medellín të Kolumbisë, u mbyll me plumba një prej kapitujve më të errët të krimit ndërkombëtar. Pablo Eskobar (Pablo Escobar – “Eskobar”), njeriu që ndërtoi perandorinë më të madhe të drogës në historinë moderne, u vra gjatë një operacioni policor, pas një ndjekjeje të gjatë dhe të përgjakshme. I goditur në një çati banese teksa përpiqej t’u shpëtonte agjentëve kolumbianë, Eskobari u rrëzua i vdekur, duke shënuar fundin e mitit të tij si figurë gjysmë legjendare dhe gjysmë demonike.
Themelues dhe udhëheqës absolut i Kartelit të Medellín-it, Eskobar ndërtoi një organizatë kriminale që shtrihej nga Amerika e Jugut deri në qendrat më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara. I quajtur gjerësisht “Mbreti i Kokainës”, ai arriti të grumbullonte një pasuri marramendëse: mbi 30 miliardë dollarë vlerë neto në kohën e vdekjes — duke u bërë kështu krimineli më i pasur në historinë e njohur.
Në vitet ’80 dhe fillim të ’90, karteli i tij kontrollonte pjesën dërrmuese të trafikut të kokainës drejt SHBA-së, duke ushtruar një influencë që tejkalonte kufijtë e Kolumbisë. Eskobari nuk ishte i thjesht një narko-trafikant: ai shndërroi dhunën në instrument politik, bleu dhe kërcënoi institucione, hodhi në erë avionë, policë, gazetarë, gjykatës e politikanë, dhe për një kohë të shkurtër u zgjodh edhe deputet, duke e bërë terrenin midis krimit dhe politikës pothuajse të padukshëm.
Vdekja e tij nuk shoi trafikun ndërkombëtar të drogës, por shënoi fundin e një epoke ku një njeri i vetëm mund të vinte në gjunjë një shtet të tërë. Pablo Eskobari mbetet sot simboli i kontradiktave latin-amerikane: pasuri pa limite, dhunë ekstreme, korrupsion politik dhe një realitet shoqëror që ende lufton me hijet e perandorisë së tij kriminale.
Përgatiti: L.Veizi
