Shpenzimet buxhetore po rriten shumë shpejt se fondet për rimbursimin e barnave, çka tregon se qeveria nuk po ndan në proporcione të drejta fondet publike edhe pse nevojat për medikamente po rriten me shpejtësi.
Buxheti 2026 parashikon shpenzime totale në vlerën e 886,7 miliardë lekë ose gati 9 miliardë euro. Ndërsa fondi për rimbursimin e barnave është vetëm 13.5 miliardë lekë dhe përbën 1.5 për qind te shpenzimeve totale buxhetore.
Nga viti 2023 në 2026 shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë rritur me 37 për qind ndërsa ato për rimbursimin e barnave me 18.4%.
Të dhënat tregojnë se pesha e shpenzimeve për rimbursimin e medikamenteve në raport me buxhetin e përgjithshëm është në rënie.
Në vitin 2023, rimbursimi zinte rreth 1.8% të totalit të shpenzimeve buxhetore, ndërsa në vitin 2024 bie në 1.6% dhe në 2026 stabilizohet në rreth 1.5%. Edhe pse fondi po rritet në vlerë nominale, nga viti në vit po merr një peshë më të vogël relative në buxhetin e përgjithshëm të shtetit, duke sugjeruar se rritja e tij nuk po e ndjek ritmin e zgjerimit të shpenzimeve publike.
Të dhënat zyrtare tregojnë një rritje sistematike të sëmundjeve kronike me mbi 5-6 për qind në vit pas pandemisë. Plakja e popullsisë dhe kërkesa në rritje për trajtime më moderne ushtrojnë presion që fondi për rimbursimim të mos bjerë në peshë relative, por të ecë të paktën në të njëjtin ritëm me rritjen e shpenzimeve buxhetore ose edhe më shpejt.
Kjo ecuri tregon se sistemi buxhetor po u jep përparësi zërave të tjerë, ndërkohë që barra e sëmundjeve po rritet me shpejtësi dhe Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka ende një PET Scaner në sistemin publik.
Sakaq kërkesat për rimbursim janë shumë më të larta se fondi në dispozicion duke bërë që në mes të vitit qeveria të ndryshojë fondet me rritje.
Në mes të vitit 2023, qeveria rriti buxhetin për rimbursimin e medikamenteve në 12 miliardë lekë nga 11,4 miliardë që ishte në fillim të vitit, por as këto nuk ishin të mjaftueshme, pasi deri në fund të vitit u gjeneruan 58 milionë lekë detyrime të prapambetura.
Ekspertët mendojnë se plakja e popullsisë dhe ndikimi i pandemisë së Covid rritën sëmundjet kronike. Diabeti apo Hipertensioni si sëmundje me incidencë të lartë në popullatë morëm më shumë fonde, duke bërë që grupi i insulinave të shënojnë rritje të lartë të shpenzimeve të rimbursimit vitet e fundit./ Monitor/K.M
