16 ditë armëpushim. Më pas, nyja e ndërlikuar e negociatave është bërë edhe më e vështirë për t’u zgjidhur, mes fatit të Libanit dhe çështjes së zhbllokimit të 24 miliardë dollarëve të fondeve iraniane të ngrira.
Shkëndijën e fundit e ndezi sulmi ajror izraelit mbi kryeqytetin libanez, i shoqëruar me urdhra të rinj evakuimi për qytetin e Tiros, çka provokoi reagimin e Teheranit. Megjithatë, më shumë sesa një “përgjigje e vendosur dhe e dhimbshme”, siç kishte kërcënuar Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komisionit Parlamentar Iranian për Punët e Jashtme dhe Sigurinë Kombëtare, ajo që po ndodh deri tani duket si një përshkallëzim i kontrolluar: sulmet janë përqendruar në veri të Izraelit dhe jo në Tel Aviv apo Jerusalem.
Burime pranë qeverisë libaneze vërejnë se, nëse Irani do të kishte vërtet mjete të afta për ta detyruar Izraelin të tërhiqej nga Libani ose për të detyruar Shtetet e Bashkuara të ndryshonin qëndrim, ato do t’i kishte përdorur tashmë.
Libani hyri në konflikt më 2 mars, kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit si hakmarrje për një sulm izraelit që vrau Udhëheqësin Suprem të Iranit. Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë bombardimesh në të gjithë vendin dhe me një ofensivë tokësore në jug, e cila është intensifikuar javët e fundit.
Që nga 17 prilli është zyrtarisht në fuqi një armëpushim, por marrëveshja është shkelur në mënyrë të përsëritur nga të dyja palët. Ndërsa gjatë gjithë fundjavës Izraeli vazhdoi sulmet në jug të Libanit, bombardimi i djeshëm mbi Bejrut shënon sulmin e tretë ndaj kryeqytetit që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, duke treguar një përshkallëzim të qartë të situatës.
Kryetari i Parlamentit të Libanit, Nabih Berri, lider i lëvizjes Amal dhe figurë e afërt me Hezbollahun, këtë javë hodhi poshtë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA-të dhe të shpallur pas bisedimeve mes qeverisë izraelite dhe asaj libaneze. Berri e cilësoi marrëveshjen si “një kurth”, pasi ajo nuk parashikon një tërheqje paralele të Izraelit nga territoret e pushtuara në jug të vendit.
Në negociata rëndon jo vetëm kërkesa për çarmatimin e Hezbollahut, por edhe mungesa e vetë organizatës në tryezën e bisedimeve. Udhëheqësi i saj, Naim Qassem, deklaroi të enjten se çarmatimi i grupit do të nënkuptonte realizimin e “objektivave të armikut”.
Nga ana tjetër, Irani ka arritur të paktën pjesërisht të pengojë Shtetet e Bashkuara të negociojnë nga një pozicion force falë bllokimit të Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, kjo levë presioni, ndonëse ka pasur pasoja edhe për ekonominë iraniane, nuk është shndërruar në një instrument real të fitores diplomatike.
Një marrëveshje e mundshme mes SHBA-ve dhe Iranit varet nga miratimi i administratës Trump për zhbllokimin e 24 miliardë dollarëve të aseteve iraniane të ngrira. Kështu deklaroi të premten për CNN Mohsen Rezaei, këshilltar ushtarak i Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Mojtaba Khamenei. Mesazhin e tij ai e përmblodhi me fjalët: “Topi është në fushën e Trumpit”.
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi dje në emisionin “Meet the Press” të NBC se negociatat për Libanin nuk janë të lidhura me ato që zhvillohen me Teheranin dhe se zhbllokimi i 24 miliardë dollarëve do të varet nga arritja e një marrëveshjeje.
Izraeli, megjithatë, e sheh situatën ndryshe. Për shtetin hebre, lidhja mes dy dosjeve është e papranueshme. Për Teheranin, përkundrazi, dy tryezat e negociatave mbeten të pandashme. Në mes të kësaj përplasjeje qëndron Donald Trump, i cili për momentin duket i bllokuar në një rrugë pa dalje./mxh
