Valentin Ftoni ishte dënuar dy herë me nga 25 vjet burgim. Dyshohet se u fsheh në SHBA duke përdorur identitete të rreme dhe dokumente të falsifikuara.
Një 52-vjeçar shqiptar, i dënuar dy herë me nga 25 vjet burgim për vrasjen e tre personave në qarkun e Shkodrës, është arrestuar në Nju-Jork, pas një operacioni të koordinuar mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese amerikane.
Bëhet fjalë për Valentin Ftonin, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001. Pas vitesh në arrati, lokalizimi dhe kapja e tij u bënë të mundura falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe tri agjencive federale amerikane: DSS/OCIU, Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së (USMS) dhe Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Sipas njoftimit zyrtar, Departamenti i Policisë Kriminale, përmes strukturave për Krimet e Rënda dhe Njësisë së Përbashkët të Shërbimeve Investigative, ka koordinuar për një periudhë të gjatë veprimet hetimore me partnerët amerikanë, deri në identifikimin dhe lokalizimin e 52-vjeçarit në territorin e SHBA-së.
Dyshohet se fshihej pas identiteteve të rreme
Hetimet paraprake dyshojnë se, pas largimit nga Shqipëria, Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, sipas Policisë së Shtetit, ai dyshohet se ka përdorur në SHBA edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.
Arrestimi në Nju-Jork shënon një tjetër rezultat të bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre amerikane, ndërsa 52-vjeçari ishte në kërkim prej më shumë se dy dekadash për dënimet e lidhura me tri vrasje në Shkodër./ad
View this post on Instagram
