Deputetët e PD duhet të sjellin nga 100 protestues më 22 dhjetor përpara Kryeministrisë, kurse anëtarët e Këshillit Kombëtar të partisë nga 50.
Kjo ishte një nga direktivat e dhëna sot në mbledhjen e demokratëve për protestën e së hënës, duke treguar se gjërat po merren seriozisht.
Pas dështimit të “Foltoreve” me nga 200 vetë në shesh, Sali Berisha ka premtuar se protesta e 22 dhjetorit do të jetë masive.
Me një llogari të thjeshtë, sipas direktivave të dhëna sot, në shesh do të jenë rreth 4000 vetë. Mund të jenë edhe më shumë, 6 ose 7 mijë vetë.
Por a është kjo “arritja e madhe” e PD? Jo, sepse kjo parti, e dyta në Shqipëri dhe me 35 vite histori, gjithmonë do t’i gjejë disa mijë vetë për protestë. Ajo që vlen është si do të zhvillohet protesta dhe a janë të gatshëm demokratët të qëndrojnë në shesh pandalim deri në dorëheqjen e Edi Ramës?
Kjo duket utopike për ta, të paktën deri tani, sepse kanë 13 vite në opozitë dhe nuk e kanë bërë asnjëherë, pra 24 orë në 24, pandalim. m.p.
