Last Updated on 23/07/2026 by Anisa
Ashtu siç është paralajmëruar ditë më parë, protesta e kësaj të enjteje po zhvillohet paralelisht me seancën plenare në Kuvend.
Grumbullimi i qytetarëve ka nisur që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”, nga ku do të marshojnë drejt godinës së Parlamentit. Tubimi përkon me nisjen e punimeve parlamentare në orën 10:00, çka ka sjellë edhe një mobilizim të gjerë të strukturave të rendit.
Për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë duke angazhuar rreth 500 punonjës policie në terren. Organet e rendit kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë, i cili shtrihet nga zona e “Toptanit” deri te rruga e Elbasanit. Gjithashtu, rreth godinës së Kuvendit është vendosur edhe gardhi metalik për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë zhvillimit të tubimit./ad
