Rënie të vazhdueshme regjistruan edhe bashkitë si Fieri -128, Lushnja -124, Maliqi -101, Pogradeci -85 dhe e Gjirokastra -74, që dikur ishin zona me dendësi popullsie.
Në anën tjetër disa bashki të vogla si Klosi (+4), Divjaka (+9), Saranda (+22) apo Bulqiza (+47) treguan stabilitet ose rritje të lehtë, duke reflektuar ndikimin e turizmit dhe normave tradicionale.
Në anën tjetër, Tirana qëndron në krye me një shtesë natyrore pozitive prej 2,880 banorësh në vitin 2023, duke qenë e vetmja bashki me rritje të madhe demografike.
Kjo tregon përqendrimin e lindjeve dhe migrimin e brendshëm drejt kryeqytetit, që mbetet epiqendra e ekonomisë, arsimit dhe punësimit në vend.
Pas saj renditen Kamza me shtesë natyrore +640, Durrësi +386, Kruja +231 dhe Kukësi +221, që shënojnë rritje të moderuar edhe për shkak të ruajtjes së traditës për familje të mëdha.
Shtesa natyrore e popullsisë në Shqipëri mbetet thellësisht negative në shumicën e territorit. Rritja e Tiranës dhe disa bashkive përreth saj po ndodh paralelisht me shpopullimin e pjesës tjetër të vendit, duke sinjalizuar një përqendrim gjithnjë e më të madh të burimeve njerëzore dhe ekonomike në pak qendra urbane.
Në 10 bashki në 7 prej tyre popullsia po tkurret për shkak të plakjes dhe lindshmërisë së ulët. Shkaku kryesor është emigracioni i të rinjve, që largon grup-moshat riprodhuese nga zonat rurale dhe qytetet e vogla.
Nga ana tjetër plakja e popullsisë rrit numrin e vdekjeve dhe ul lindjet. Kushtet ekonomike dhe mungesa e shërbimeve, që nxisin çiftet të kenë më pak fëmijë ose të zhvendosen drejt Tiranës e disa qyteteve të mëdha.
Në afat të gjatë, ky proces sjell pasoja serioze, si mbylljen e shkollave, mungesë të fuqisë punëtore, rënie të konsumit lokal dhe vështirësi për të ofruar shërbime publike./ Marrë nga Monitor.al