Nga Leonard Veizi
Në historinë e një kombi ka data që nuk janë thjesht shifra në kalendar; ato janë çelësa që hapin dyer të reja, shkëndija që ndizet në errësirën e gjatë dhe paralajmëron një lindje të re. 8 Dhjetori i vitit 1990 është një nga këto çaste. Në atë ditë dimri, ndër murmurimat e ftohta të Tiranës, brenda mureve të Qytetit “Studenti”, diçka u prish në heshtjen e gjatë të frikës dhe urdhrit të hekurt. Ishin zërat e rinisë që ngritën kurajo, përballë një pushteti që kishte mbajtur një popull nën një dhunë të heshtur për gati pesëdhjetë vjet. Nuk ishte thjesht një protestë; ishte një thyerje e parë, një shkëndijë e papritur që shpërtheu në ajrin e ftohtë, duke shndërruar frikën në guxim dhe zemrat e të rinjve në flakë. Në ato çaste, çdo hap, çdo thirrje dhe çdo flamur i ngritur nuk ishte vetëm simbol i revoltës – ishte prejardhja e një ëndrre për një Shqipëri të lirë, për një shoqëri ku fjalët dhe mendimet nuk do të burgoseshin më.
Dimër i vitit 1990 nuk ishte i zakonshëm; ishte fillimi i një kapitulli të ri, një zgjuarsi që nuk mund të shuhej, një moment kur një komb i tërë ndjeu se fuqia për të ndryshuar fatin e vet ishte në duart e tij, dhe se errësira që kishte mbërthyer Shqipërinë do të thyhej përfundimisht.
Ajo që filloi me zhurmën e një gjenerate të lodhur, e zhytur në konvikte të ftohta, me energji elektrike të ndërprerë dhe nën presionin e një rënieje ekonomike që i mbyste frymën vendit, shpejt u kthye në një britmë për liri. Kjo nuk ishte thjesht një kërkesë për drita apo për ngrohje; ishte revolta e shpirtit kundër izolimit, ishte hapi i parë drejt shkërmoqjes së atij rregjimi famëkeq që kishte izoluar Shqipërinë nga qytetërimi dhe kishte shuar çdo liri civile.
Qyteti “Studenti”
Më 8 Dhjetor 1990, në Qytetin “Studenti” në Tiranë, studentët e Universitetit të Tiranës bënë historinë për herë të parë në 46 vjet sundimi komunist në Shqipëri. Ata vendosën të bojkotojnë mësimin dhe të protestojnë kundër një rregjimi famëkeq që kishte izoluar vendin dhe kishte shkatërruar çdo liri civile.
Arsyet fillestare të protestës ishin problemet praktike dhe ekonomike: ndërprerja e energjisë elektrike, kushtet e vështira të jetesës së studentëve në konvikte dhe shkolla, si dhe kriza e përgjithshme ekonomike që po përballej vendi në atë periudhë.
Dhuna dhe reagimi
Protesta e organizuar nga studentët u shoqërua me dhunë nga policia dhe ushtria, të cilët përdorën mjete represive për të shpërndarë demonstruesit. Disa studentë u plagosën gjatë përleshjeve, por kjo nuk i frikësoi të rinjtë. Përkundrazi, incidenti thelloi revoltën dhe zgjeroi kërkesat e tyre.
Kërkesat dhe fryma e lirisë
Nga kërkesat për përmirësimin e kushteve të jetesës, studentët kaluan te kërkesat për pluralizëm politik dhe dënimin e dhunuesve. Shprehja e tyre më simbolike, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, shprehu dëshirën për: ngritjen e vlerave perëndimore, një sistem të sundimit të ligjit, integrimin e Shqipërisë në Europë, garantimin e pluralizmit politik, si bazë e një shoqërie të lirë dhe demokratike.
Fundi i izolimit dhe hapja drejt së ardhmes
Akti i studentëve shënoi fundin e vetë-izolimit dhe të sundimit ideologjik në Shqipëri. Kjo protestë ishte pikënisja e rrugës drejt ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur, duke hapur një kapitull të ri në historinë e vendit.
Kujtesa dhe nderimi
Për të nderuar këtë lëvizje historike, Kuvendi i Shqipërisë e caktoi më 8 Dhjetor 2009 si Ditën Kombëtare të Rinisë, duke përkujtuar protestën studentore të vitit 1990, një ngjarje që shënoi fillimin e rrëzimit të regjimit komunist dhe hapjen e rrugës drejt demokracisë.
