Nga Leonard Veizi
Më 1 gusht 1944, në orën 17:00 – “Ora W” – Varshava nuk priti të çlirohej. Ajo vendosi të çlirohej vetë. Në atë çast, nga dritaret, bodrumet dhe çatitë e një qyteti të lodhur nga pesë vjet pushtim, dolën djem dhe vajza me shirita kuq e bardhë në krahë. Ishte “Armia Krajowa”, Ushtria Kombëtare, rezistenca më e madhe e armatosur në Evropën e pushtuar. Të keqarmatosur, me pushkë të vjetra, me pak municion dhe me një guxim që i kapërcente armët, ata sulmuan makinerinë e luftës së Wehrmacht-it dhe Waffen-SS-it.
Qëllimi i tyre nuk ishte vetëm ushtarak. Ishte politik dhe ekzistencial: të çlironin kryeqytetin përpara se tanket sovjetike të kalonin Vislën. Të tregonin botës se Polonia nuk ishte një tokë e lirë për t’u marrë, por një shtet që e fitonte vetë lirinë. Ishte një bast i dëshpëruar për sovranitetin, për të mos e zëvendësuar një pushtues me një tjetër.
Për 63 ditë, – me operacionin e njohuri “Ora W” – Varshava ishte kryeqyteti i vetëm i lirë në Evropën naziste. Dhe për 63 ditë, ajo u kthye në ferr.
Çmimi i lirisë
Historia rrallë ka parë një betejë urbane kaq të pabarabartë dhe kaq të përgjakshme. Luftimet shkuan shtëpi më shtëpi, kat më kat. Në njërën anë, divizione të stërvitura, tanke, artileri dhe aviacion. Në anën tjetër, studentë, poetë, punëtorë, 17-vjeçarë që mësonin të luftonin duke luftuar.
Bilanci është therës dhe flet vetë: rreth 20.000 luftëtarë të rezistencës ranë. 16-20.000 ushtarë gjermanë u vranë. Por goditja më monstruoze ra mbi ata që nuk mbanin armë.
Mbi 150.000 deri në 200.000 civilë polakë u masakruan, u dogjën, u ekzekutuan në oborret e shtëpive të tyre ose vdiqën nga uria dhe bombardimet. Njësitë ndëshkimore, veçanërisht brigada famëkeqe Dirlewanger, e kthyen shtypjen e kryengritjes në një orgji hakmarrjeje kundër një populli të tërë.
Më 2 tetor 1944, kur u firmos kapitullimi, Hitleri dha urdhrin e tij të fundit për Varshavën: qyteti duhej të zhdukej nga faqja e dheut. Dhe kështu ndodhi. 80-85% e kryeqytetit u shkatërrua sistematikisht, tullë më tullë, me dinamit. Nuk ishte më një qytet i mundur. Ishte një qytet i ekzekutuar.
Tradhtia që vrau më shumë se plumbat
Por tragjedia e Varshavës nuk shkruhet vetëm me gjak gjerman. Ajo shkruhet edhe me heshtjen sovjetike.
Ushtria e Kuqe ishte aty. Vetëm pak kilometra larg, në bregun tjetër të Vislës, në Pragë. Ushtarët polakë e dëgjonin gjëmimin e topave sovjetikë dhe prisnin. Bota priste.
Stalini nuk lëvizi. Ai ndaloi ofensivën. Ndaloi furnizimet. Ndaloi edhe aleatët anglo-amerikanë të përdornin aeroportet e tij për të hedhur ndihma.
Nuk ishte paaftësi ushtarake. Ishte krim politik. Stalini e kuptoi se Armia Krajowa ishte Polonia e lirë që ai nuk e donte. Ai e la Wehrmacht-in të bënte punën e pistoletës për të: të asgjësonte elitën anti-komuniste të Polonisë, në mënyrë që Polonia e pasluftës të binte e butë, e gjakosur dhe pa zë, në duart e tij.
Varshava u sakrifikua dy herë: një herë nga armiqtë që e pushtuan dhe një herë nga “aleatët” që e shikuan duke vdekur.
Kjo është mësimi më i hidhur i kryengritjes: liria nuk tradhtohet vetëm nga ata që të shtypin, por edhe nga ata që të premtojnë se do të vijnë të të shpëtojnë dhe nuk vijnë kurrë.
Kur rrënojat kthehen në art
Pikërisht sepse u mund ushtarakisht, Kryengritja e Varshavës fitoi përjetësisht moralisht. Ajo nuk mundi të ruante ndërtesat, por ruajti shpirtin e një kombi. Dhe ky shpirt gjeti mënyrën të mbijetojë – në kinema.
Kinemaja polake nuk e la kurrë Varshavën të vdesë në heshtje.
Tek “Kanał” (Kanali), 1957, i Andrzej Wajda, kryengritja nuk është epike, është klaustrofobike. Një togë luftëtarësh që kërkon shpëtim nëpër kanalizimet e zeza të qytetit. Errësira, uji i ndotur, ngushtësia që të merr frymën – Wajda e kthen kanalin në metaforën e përsosur të një shprese që po mbytet, por që refuzon të dorëzohet. Është filmi i fundit të një gjenerate që e dinte se liria ndonjëherë duhet të ecë nëpër baltë për të mbijetuar.
Tek “Miasto 44” (Qyteti 44), 2014, i Jan Komasa, është e kundërta. Ngjyra, ritëm, dashuri rinore në mes të apokalipsit. Komasa na e tregon kryengritjen me sytë e atyre që e bënë: 18-vjeçarëve që besuan se mund të mundnin një perandori. Është një film që i flet brezit të sotëm dhe i thotë: liria nuk është një koncept i të moshuarve, është një instinkt i të rinjve.
Dhe pastaj është “Pianisti” i Roman Polanskit, 2002. Polanski, vetë i mbijetuar i Holokaustit, nuk tregon betejën, por pasojën e saj. Władysław Szpilman, pianisti hebre që endej i vetëm nëpër rrënojat që ende tymosnin të Varshavës, është vetë qyteti. Çdo hap i tij mbi tulla të thërrmuara është dëshmia vizuale e asaj që mbeti pas 2 tetorit. Kur ai ulet dhe luan Chopin-in për oficerin gjerman, muzika nuk është më art. Është akti i fundit i rezistencës. Është prova se edhe kur qytetet digjen dhe trupat bien, një notë pianoje mund të thotë: ne ende jemi këtu.
Liria nuk dhurohet
Pse duhet ta kujtojmë sot, në 2026, një kryengritje që dështoi 82 vjet më parë?
Sepse Varshava 1944 është prova më brutale se liria nuk është kurrë e dhuruar. Ajo nuk vjen me tanke nga lindja apo nga perëndimi. Ajo merret, paguhet, dhe shpesh tradhtohet.
Kryengritësit e Varshavës e dinin se do të vdisnin. E dinin se ishin të vetëm. E dinin se ushtria përballë ishte më e fortë. Dhe u ngritën gjithsesi. Sepse ka momente në historinë e një populli kur të mos luftosh për lirinë është një vdekje më e sigurt se vetë vdekja.
Kjo është arsyeja pse Varshava nuk është një histori polake. Është një histori universale. Është historia e çdo populli të vogël të zënë mes dy perandorive. Është kujtesa se pavarësia nuk ruhet me deklarata, por me gatishmërinë për t’u bërë rrënojë sesa për t’u bërë kukull.
Më 1 gusht të çdo viti, në orën 17:00, Varshava ndalon. Sirenat bien. Njerëzit ndalen në mes të rrugës. Makinat fikin motorët. Një qytet i tërë hesht për një minutë.
Nuk është thjesht përkujtim. Është një betim i përtërirë: se shpirti i rezistencës nuk shuhet.
