Last Updated on 02/10/2026 by Klara
Nga Klevis Bakillari
Në peizazhin publik po ndodh një mutacion i rrezikshëm moral dhe politik: normalizimi i korrupsionit përmes shpërqendrimit pornografik. Kohët e fundit, vëmendja e opinionit publik është përmbytur nga një seri videosh intime te publikuara apo ende jo, ku përfshihen figura të njohura publike, zyrtarë dhe pushtetarë. Në pamje të parë, këto ngjarje trajtohen si “skandale”, por në thelb, ato po shërbejnë si një mekanizëm efikas për të mbytur skandalet e vërteta: aferat e mëdha korruptive, abuzimin me taksat dhe degradimin institucional.
Voyeurizmi (etja për të parë përmes vrimës së çelësit) po përdoret si armë politike për të zhvendosur vëmendjen nga llogaridhënia te moralizmi banal.
Në Shqipëri, sa herë që një aferë madhore korruptive – qoftë kjo lidhur me tenderat, inceneratorët, koncesionet apo pastrimin e parave – arrin pikën e vlimit, në mënyrë pothuajse “kirurgjikale” në media ose rrjete sociale “rrjedh” një video intime.
Kjo nuk është rastësi, por një strategji devijimi. Seksi dhe jeta private shesin më shpejt dhe prekin instinktet më primitive të masës. Ndërsa dokumentet e SPAK-ut dhe shifrat miliona euroshe kërkojnë përqendrim dhe analizë, një video rozë konsumohet brenda pak sekondash. Rezultati? Shoqëria harron vjedhjen e radhës dhe përfshihet në një debat moralizues mbi jetën private të individit.
Gjuha dhe perceptimi publik kanë pësuar një devijim serioz. Sot në Shqipëri, “skandal” nuk quhet më vjedhja e miliona eurove nga buxheti i shtetit, por jeta private e një zyrtari apo një figure publike.
Kur një politikan akuzohet për korrupsion galopant, reagimi publik shpesh është apatik: “Të gjithë vjedhin”. Korrupsioni është integruar aq shumë në sistem, sa nuk bën më lajm.
Kur i njëjti politikan kapet në një video intime, reagimi është histerik.
Ky moralizim hipokrit tregon se shoqëria është e gatshme të falë dëmin ekonomik dhe shkatërrimin e të ardhmes, por nuk fal thyerjen e tabuve seksuale. Kjo bën që korrupsioni të mos përbëjë më skandal real politik që rrëzon qeveri.
Mediat në Shqipëri, shpesh të kapura nga interesa oligarkike apo politike, luajnë rolin e xhelatit në këtë cirk. Në vend që të investigojnë kontratat publike, ato kthehen në platforma të klikimeve të shpejta, duke analizuar çdo detaj të videove private.
Për më tepër, këto video përdoren si mjete shantazhi brenda llojit. Ato shërbejnë si mesazhe të koduara për të disiplinuar kundërshtarët ose për të mbyllur gojën e atyre që guxojnë të denoncojnë aferat e vërteta. Mesazhi është i qartë: “Nëse na sulmoni për paratë, ne do t’ju shkatërrojmë moralisht.”
Rreziku më i madh afatgjatë është anestezia e shoqërisë civile. Përmbytja e vazhdueshme me skandale rozë krijon një lodhje mendore dhe mpirje emocionale. Qytetari i thjeshtë, i mbytur nga ky lumë balte, zgjedh të tërhiqet në cinizëm ose në indiferencë totale. Kur gjithçka kthehet në spektakël banal, humbet kufiri mes të drejtës dhe të gabuarës, mes krimit financiar dhe mëkatit privat.
Kur korrupsioni nuk bëhet më skandal, një shoqëri ka humbur busullën e saj të mbijetesës. Videot e fundit intime në Shqipëri nuk duhen parë thjesht si dështime morale individuale, por si simptomë e një sistemi që ushqehet me shpërqendrim për të ruajtur pandëshkueshmërinë.
Për sa kohë që vjedhja e të mirës publike do të tolerohet, ndërsa jeta private do të kryqëzohet në sheshet publike dixhitale, korrupsioni do të mbetet i paprekshëm. Është koha që publiku shqiptar të zhvendosë shikimin nga “vrima e çelësit” dhe ta drejtojë atë nga “gropa” ku po vidhet e ardhmja e vendit.
Inversioni i madh! Korrupsioni është qëllimi strategjik, videot janë mjeti taktik.
Për të kuptuar këtë teatër absurd, duhet të përmbyset ekuacioni me të cilin jemi mësuar. Në një shoqëri me demokraci funksionale, një video intime që zbulon favorizime apo abuzim detyre përdoret si mjet për të provuar korrupsionin. Në Shqipëri ndodh e kundërta: korrupsioni është qëllimi strategjik dhe konstant, ndërsa videot intime janë thjesht mjetet taktike për ta mbrojtur atë.
