Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi qytetin e tij të lindjes, Shën Petersburgun, me rastin e 82-vjetorit të çlirimit të qytetit nga rrethimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Putin vendosi lule në kompleksin përkujtimor ushtarako-historik Nevsky Pyatachok, në rajonin e Leningradit, një nga zonat më të përgjakshme të përpjekjeve për thyerjen e rrethimit, si edhe në varrezat përkujtimore Piskaryovskoye, pranë monumentit “Atdheu”, për të nderuar viktimat e bllokadës.
Në vitin 2019, Putin kishte deklaruar se edhe vëllai i tij, i cili vdiq në moshën trevjeçare gjatë rrethimit, është varrosur në një nga varret masive në këtë varrezë.
Rrethimi i Leningradit, emri i Shën Petersburgut në kohën sovjetike, zgjati 872 ditë dhe mori jetën e qindra mijëra njerëzve, kryesisht nga uria dhe bombardimet, duke u shndërruar në një nga rrethimet më të gjata dhe më vdekjeprurëse në historinë e luftërave.
Heqja e bllokadës më 27 janar 1944 shënoi një fitore të madhe për Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, krahas betejave vendimtare të Moskës, Kurskut dhe Stalingradit./mxh
