Banka amerikane JP Morgan paralajmëron se kombinimi i fenomenit klimatik El Niño me çmimet e larta të energjisë mund të rrisë ndjeshëm inflacionin global gjatë vitit të ardhshëm, me ndikimin më të madh në tregjet në zhvillim.
Sipas raportit, një El Niño që po intensifikohet me shpejtësi, i kombinuar me rritjen e kostove të energjisë, mund të shtojë rreth 0.3 pikë përqindjeje në inflacionin global gjatë vitit të ardhshëm.
Parashikimet tregojnë se ka 81% gjasa që fenomeni aktual të shndërrohet në një El Niño shumë të fortë, ose edhe në një “Super El Niño” deri në fund të këtij viti, ndërsa 97% gjasa që kushtet të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Një zhvillim i tillë do të renditej ndër episodet më të forta të dekadave të fundit dhe do të rriste rrezikun për ndërprerje në prodhimin global të ushqimeve dhe në zinxhirët e furnizimit.
JP Morgan vlerëson se vetëm një Super El Niño do ta rriste inflacionin global të ushqimeve me rreth 0.7 pikë përqindjeje në kulmin e tij, ndërsa ndikimi më i madh zakonisht shfaqet 4 deri në 8 muaj pas fillimit të fenomenit klimatik.
Megjithatë, nëse këtij skenari i shtohet edhe rritja e çmimeve të energjisë si pasojë e luftës me Iranin, e cila ka shtrenjtuar naftën, plehrat kimike dhe kostot e paketimit të produkteve ushqimore, ndikimi mund të dyfishohet, duke e çuar rritjen e inflacionit të ushqimeve në 1.3 deri në 1.5 pikë përqindjeje.
Analistët e JP Morgan parashikojnë se inflacioni vjetor i ushqimeve mund të arrijë në 5% gjatë gjysmës së parë të vitit 2027, duke shtuar rreth 0.6 pikë përqindjeje në inflacionin e përgjithshëm global. Kjo do të ngadalësonte uljen e pritshme të inflacionit gjatë vitit të ardhshëm me rreth 0.3 pikë përqindjeje.
Cilat vende janë më të rrezikuara?
Sipas raportit, ndikimin më të madh do ta ndiejnë ekonomitë në zhvillim në Azi dhe Amerikën Latine, pasi ushqimet zënë një peshë më të madhe në shpenzimet e familjeve dhe bujqësia është më e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike.
Ndër vendet më të ekspozuara përmenden:
India
Indonezia
Brazili
Kolumbia
Gjithashtu, edhe Tajvani dhe Koreja e Jugut konsiderohen të cenueshme nga rritja e çmimeve të ushqimeve.
Në të kundërt, ndikimi i drejtpërdrejtë i El Niño mbi inflacionin e ushqimeve në Evropë dhe ekonomitë e tjera të zhvilluara pritet të jetë më i kufizuar. Për këto vende, faktori kryesor që pritet të shtyjë çmimet e ushqimeve do të jetë rritja e kostove të energjisë.
JP Morgan thekson se situata aktuale është më e favorshme se gjatë episodeve të mëparshme të forta të El Niño, pasi rezervat globale të drithërave mbeten të mjaftueshme, rezervat e orizit në Azi janë në nivele të shëndetshme dhe inflacioni i ushqimeve është ende relativisht i ulët.
Megjithatë, banka paralajmëron se kombinimi i një Super El Niño me një periudhë të zgjatur të çmimeve të larta të energjisë mund të shkaktojë një valë të re shtrenjtimi të ushqimeve, duke e kthyer inflacionin ushqimor në një faktor gjithnjë e më të rëndësishëm që do të krijojë dallime të mëdha mes vendeve dhe rajoneve./ad
