Last Updated on 26/02/2026 by Anisa
Nga Afrim Krasniqi
22 korrik 2016. Pas debateve dhe negociatave të shumta 140 deputetë votuan pro reformës në drejtësi. KM mori meritën kur në bëri shënimin në mediat e tij sociale: “U KRY! Shumë faleminderit të gjithëve! U plotësua dëshira e 93% të shqiptarëve që e donin këtë reformë #Rilindje #KrenarPerPS Natën e mirë”. Pastaj thuri lavde për ndërkombëtarët, një për një, si meritor në jetësimin e reformës.
Kohët kanë ndryshuar. Sot me një fjalim patetik kundër 2016, – “kanë të drejtë ata që janë zhgënjyer” dhe sidomos “nëse nuk do të kishte një kalë që do të tërhiqte karrocën, ata të Rrugës së Elbasanit apo të Rrugës së Durrësit nuk do të bënin dot gjë”.
Është i njëjti, thjesht më 2016 e votoi “rrugën e Elbasanit” me idenë se drejtësia do merret vetëm me palën tjetër, sot është penduar dhe është kundër sepse drejtësia po merret edhe me të. Dhe duket se sapo ka nisur. Të gjithë ata që i kishte në krah si më të besuarit janë ose në burg, ose në kërkim ose nën hetim. Natyrisht, për korrupsion dhe abuzim me postet/funksionet. Qasja proporcionale? Më 2014-2015 qeveria e tij inicioi disa qindra arrestime për qytetarët që nuk kishin paguar faturat mujore të energjisë apo për punime pa leje në banesat private, – sot kur stafi i tij i afërt akuzohet për miliona e miliona euro abuzime, – ka ndryshuar qëndrim dhe është kundër hetimeve, kundër akuzave, kundër dënimeve, kundër rrugës së Elbasanit dhe kundër 93% të shqiptarëve të vitit 2016!
Natyrisht nuk është i pari kryeminister në qëndrime të tilla dhe ka mundësi, as i fundit. Janë raste, sjellje e mentalitete tipike ku zyrtarët e pushtetshëm dhe autoritaristë refuzojnë llogaridhënien, parimet demokratike dhe shtetin e së drejtës. Mendojnë se janë të përjetshëm, të paprekshëm, të pakritikueshëm. Shteti jam unë, ligji jam unë, – është deviza e tyre.
Reforma në drejtësi u bë, votat u fituan në emër të saj, tani është koha për drejtësi dhe llogaridhënie. Si përgjigje dhe detyrim edhe ndaj 93% të shqiptarëve. Duke vijuar me rënien e mitit të paprekshmërisë përmes drejtësisë funksionale dhe antikorrupsion.

