Më 23 dhjetor 1912, Ismail Qemali emëroi delegacionin e parë shqiptar për të marrë pjesë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke shënuar një hap të rëndësishëm në historinë e diplomacisë shqiptare. Lajmi u përcoll përmes një kabllogrami, i pari i këtij lloji për çështje diplomatike në Shqipëri.
Delegacioni kryesohej nga Rasih Dino, i cili, së bashku me Mehmet Konicën dhe Filip Nogën, më 2 janar 1913 i dërguan një memorandum Eduard Grey-t, ish-ministrit të Jashtëm britanik dhe kryetarit të Konferencës. Në memorandum paraqitej vija kufitare e viseve etnike shqiptare dhe një përshkrim i detajuar i përbërjes së popullatës në krahinat që kërkoheshin të përfshiheshin brenda kufijve të shtetit shqiptar.
Rasih Dino, i cili kishte marrë pjesë përkrah Ismail Qemalit në ngritjen e Flamurit më 1912, u dallua si një figurë kyçe në përfaqësimin e interesave shqiptare. Përveç angazhimit në Londër, ai u emërua edhe si përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.