Një shofer kamioni është dënuar nga autoritetet britanike me 13 vite e gjysmë burg, pasi u zbulua se transportonte një sasi të madhe kokaine të fshehur në një ngarkesë me produkte të markës “SKIMS”, kompania e njohur e Kim Kardashian.
Jakub Jan Konkel, 40 vjeç, me origjinë nga Polonia, u ndalua në shtator 2025 në portin e Harwich në Angli, menjëherë pasi mbërriti me traget nga Holanda.
Kamioni që ai drejtonte mbante 28 paleta me veshje dhe të brendshme të markës SKIMS, por gjatë kontrollit me skaner nga dogana britanike u zbulua një hapësirë e fshehtë në rimorkio.
Brenda saj, autoritetet gjetën 90 pako me kokainë, secila me peshë rreth një kilogram. Vlera e drogës në treg u llogarit mbi 8 milionë euro.
Sipas Agjencisë Kombëtare kundër Krimit në Britani, kompania eksportuese dhe ajo pritëse nuk kishin asnjë lidhje me trafikun e narkotikëve dhe ngarkesa me mallra rezultoi plotësisht e rregullt.
Në fillim, Konkel pretendoi se nuk dinte asgjë për drogën e fshehur në kamion, por më pas pranoi fajin para hetuesve. Ai deklaroi se kishte pranuar të transportonte kokainën kundrejt një pagese prej 4.500 eurosh.
Pas pranimit të akuzave për trafik droge, Gjykata e Chelmsford vendosi ta dënojë me mbi 13 vite burg./mxh
