Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit dje në Prokurorinë Speciale SPAK, ku u mor në pyetje për pesë orë. Pasi dha deklarimet para agjentëve të BKH-së, kryebashkiaku tha shkurtimit se do të fliste në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për atë çka ndodhi në SPAK. ““Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një Nesti Angoni. Ky person nuk ekziston, e dimë çfarë emri dhe kulture linçuese përfaqëson ky stil. Është një kurth i sajuar”-tha Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Më tej ai u shpreh se do të vijonte të paraqitej në institucionin e akuzës. “E di gjithë Tirana ku jetoj dhe ku isha para dhe pas zgjedhjeve. Unë hyj te ajo racë politikanësh ku nuk i thotë SPAK-ut, Skap, kur nuk i intereson. As kam bërë letra anonime, këtu do jemi në maj do ju mundim”- tha ai, duke iu drejtuar anëtarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak. Kjo është hera e dytë që Veliaj thërritet në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi për disa çështje. Më 30 prill të këtij viti Veliaj u thërrit në SPAK ku qëndroi mbi tetë orë. Veliaj u pyet në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës, çështje e denocuar nga opozita tre vjet më parë. Për këtë dosje janë disa të arrestuar, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako. Gjithashtu një tjetër çështje ku Veliaj u denocuar nga PD është çështja e abuzimit në Bashkinë Tiranë, që çoi në arrestimin e katër drejtorëve të rëndësishëm të atij institucioni të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Hetimi
Pavarësisht akuzave të PD-së, Veliaj është thirrur në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”. Ky hetim ka marrë vëmendje të shtuar kohët e fundit, veçanërisht pas disa veprimeve të ndërmarra nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Pak ditë më parë, agjentët e BKH-së kryen një kontroll në banesën e Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, ku u sekuestrua celulari i saj. Ky kontroll u realizua në mungesë të kryebashkiakut, i cili ndodhej jashtë vendit në atë kohë, në një vistë zyrtare në Gjermani. Dy ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi ankesën e Xoxës për vendimin që lejonte SPAK-un të sekuestronte pajisjen telefonike. Gjykata hodhi poshtë gjithashtu pretendimet e vëllait të Veliajt, Arbër Veliaj, si dhe të dy kompanive private që kishin kundërshtuar kontrollet e kryera nga BKH-ja në ambientet e tyre. Ngjarjet e fundit kanë krijuar një atmosferë të tensionuar politike, ku akuzat për korrupsion dhe hetimet nga SPAK po qëndrojnë në qendër të vëmendjes publike. Ndërkohë që opozita e ka cilësuar këtë si një mundësi për të zbardhur abuzimet e pretenduara në institucionet lokale, mazhoranca ka këmbëngulur se procesi duhet të vijojë pa ndërhyrje dhe se askush nuk është mbi ligjin.