Tirana e politikës me gëzof demokratik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni 

Mënyra sesi përballet një çështje e madhe tregon maturinë e një shoqërie dhe stadin e klasës politike të saj. Politika shqiptare nuk zhgënjeu në atë që i atribuojmë: Rrëmujën. Debati real në orët e fundit me arrestin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku duhej të trajtohej marrja e përgjegjësive apo mbajtja e qëndrimit për malin e akuzave ndaj tij u shndërrua në arenë ofendimesh dhe akuzash të ndërsjella midis PS-së dhe PD-së. Po pse mungon vallë kuraja për të vërtetën?! “Forca mendore ose morale për të ndërmarrë, këmbëngulur dhe përballuar rrezikun, frikën ose vështirësinë”. Ky është përcaktimi i kurajës nga Merriam-Webster, që do të thotë se në kohën e një regjimi demokratik, individi i vërtetë duhet ta tregojë me aktet e tij sesa mund të përshtatet me kanonet e saj, duke vendosur përpara cilësitë më të mira. Kudo në botë, demokracia po rrëshqet gjithnjë e më shumë nga elementët që i kanë dhënë emrin, kurse vendin e saj e ka zënë tollovia e pasens, ku politika e çdo vendi mbulon problemet jo të pakta të saj.

Cakun e parë të anarkisë morale vendi ynë e pati fill pas viteve ‘90, ku ngulmi për t’u shpërfaqur ndryshe i bëri shumë anonimë dhe kameleonë të na shfaqeshin si protagonistë dhe madje u mundua të eklipsojë krejtësisht deri frymën e krijuar nga studentët dhe qytetarët e kryeqytetit, Kavajës, Shkodrës, Kuçovës etj.. Asokohe, Kadare, një personazh që do të përballet me shumë nga ndryshimet e vendit pas erës komuniste ka tagrin t’u vendoset përballë shumë prej kinseve që hodhën baltë dhe mbollën urrejtje mbi Shqipërinë. Ata, që nuk kishin pasur kurajë për asgjë, tashmë do të na bënin protagonistin e plotë dhe të neveritshëm. “Ne të gjithë e dimë se ç’ka ndodhi pas rrëzimit të komunizmit. Ne dimë se ç’pluhur u ngrit, çfarë çoroditje u krijua, ç’llum i zi doli nga thellësitë e kësaj bote. Kjo rrokopujë e zbehu shumë shpejt gëzimin e lirisë të porsafituar, dehjen e saj, ylberet e shpresave, që lindën e u fikën aty për aty.

…Nuk ka gjë më të shëmtuar se kuraja e vonuar e frikacakëve, e skllevërve. Të ndërgjegjshëm se e kishin ulur kryet më fort se ç’duhej, të turpëruar për bindjen e tyre të gjatë, të tërbuar nga prania e të tjerëve, atyre që nuk ishin thyer, gjëja e parë që bënë ishin t’u vërsuleshin këtyre të fundit. …Pas kësaj, nuk pritej veçse tmerri i fundit: t’i suleshin atdheut”, do shkruajë ai me pezm tek “Dialog me Alain Bosquet”.

Kështu kemi mbërritur dhe në ditët tona, kur përpjekja më e madhe në radhët e politikës qoftë të PS-së apo të PD-së bëhet për të ruajtur status quo-në e pushtetit, qoftë në maxhorancë dhe po ashtu në opozitë dhe ku Rama e Berisha nuk sfidohen më (madje edhe nga njerëzit më të afërt), për shkak se afërsia me ta është rruga, e cila të çon ose të mban në pushtet. Kështu ndodhi edhe në orët e fundit, ku pozita nuk ka kurajën të përballë problemin e pamatë të korrupsionit me arrestimin e Veliajt, kurse PD-ja me etiketimin më poshtërues ndaj SPAK-ut, që deri më tani e ka anatemuar, nuk gjeti kohë as ta përshëndeste si akt, arrestin e shumëpritur për ta të kryebashkiakut. Askund si në këto ditë s’ka munguar kuraja e vërtetë për t’u përballur dhe për të kërkuar përgjegjësinë. Çfarë nuk shkon më me shoqërinë shqiptare?! Në ditët tona, kuraja është jo të bësh vepra lëbyrëse ose akte sublime, sesa t’i ngresh dhe të ndërgjegjësosh ato gjëra që tashmë i ndjejmë thellë dhe që duhet t’ia kumtosh me kurajë dhe dinjitet shoqërisë, madje duke marrë parasysh edhe privimet e pafundme, të cilat rrjedhin prej pasojave të qëndrimeve të pavarura. Për fatin e keq, tashmë koncepti i demokracisë, si pushtet që buron nga “sistem i qeverisjes që buron nga populli, funksionon me dhe për popullin” (koncepti i Abraham Lincoln), po duket gjithnjë e më shumë “i ngatërruar” dhe publiku konfuzohet shumë nga inflacioni i madh i përdorjes së saj në këtë kohë, ku rrjetet sociale dhe pushtetarët e brezave të rinj kanë perceptime të ndryshme. Në literaturë ka dy qëndrime që e përcaktojnë demokracinë, ai klasiku që e tregon se ky lloj sistemi politik lidhet me qeverisjen në emër të shumicës së popullit, ku vota e shumicës qoftë direkt apo me përfaqësues ka qëllim për të respektuar Kushtetutën dhe ligjin dhe ushtrohet për pushtetin; apo kuptimi më i gjerë kur demokracia nënkupton marrëdhëniet demokratike, të cilat shtrihen në çdo aspekt të jetës, ku institucionet funksionojnë krejt të pavarura; ku drejtësia i përball të gjithë si të barabartë dhe liritë e qytetarit, qoftë civile, ekonomike dhe politike respektohen deri në fund.

Lexo edhe :  Pse bota duhet t’i thotë “jo”, tani, luftës bërthamore

 

 

Në këto orë të fundit, ku Veliaj dhe njerëzit e tij po përballin drejtësinë, ne shikojmë sesa mungon kurajë për ta shikuar dhe reflektuar realitetin qoftë nga PS dhe PD-ja për të vërtetën, por edhe mungesën e durimit të njerëzve për të barazuar gjithçka me të keqen. Që në fakt, në vendin tonë, ka marrë përmasa të frikshme.

Shoqërisë sonë ka ardhur koha t’i kërkohet si nevojë kurajë, e cila s’është thjesht mospasja frikë para krimit, manipulimeve dhe të cenuarit të së drejtave, por të vepruarit pavarësisht frikës dhe shqetësimit tonë. Duket se detyra e deputetëve tanë që duhet ta nisnin nga parlamenti ishte të na përballnin realisht me pasojat e këtij akti të arrestit të Veliajt dhe sidomos për ata që tentojnë të luajnë rolin e akuzuesit, që duhet të mësohen sesi të jetojnë me pasojat, kur janë të akuzuar. Koha e sotme po na kërkon që kurajën civile ta vendosim jo thjesht përballë korrupsionit të socialistëve, por edhe para hipokrizisë, që lidhet me fshehjen pas procedurave të shumë njerëzve të demokratëve dhe të tjerëve të kampit të tyre. Për pak kurajozët kërkohet qëndrim dhe nevojë për të mbrojtur institucionet dhe atë çka mbetur me demokracinë. Që nuk e pamë jo vetëm në rastin e përballjes me dinjitet të akuzuarve nga Drejtësia që nga ishpresidenti i vendit Meta dhe duke vazhduar me ish-ministrat e ndryshëm dhe duke vazhduar me Veliajn, por nuk e shikojmë më dot dhe tek ata që akuzojnë dhe mbrojnë të pamundurën. Kuraja ka mbetur jetime para demokracisë. Ose si e thoshte historiani Timothy Snyder në sythin e tij të 20-të në libërthin “Mbi tiraninë”: “Nëse asnjë prej nesh nuk është i gatshëm të vdesë për liri, atëherë të gjithë ne do të vdesim nën tirani”. Dhe, tirania e politikës së sotme është më shumë se makth, sepse mban të veshur gëzof demokratik. (Homo Albanicus)/kb

Të fundit

Penallti e humbur dhe gol në shtesë, Partizani eliminohet nga Europa

Partizani është eliminuar nga Conference League pasi u mposht mbrëmjen e sotme nga Kalju me rezultatin 1-0. Një gol...

Bushati për sherrin Lapaj-Shabani: Më të gëzuarit, Rama e Berisha

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për përplasjen në koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet, ku Lapaj dhe...

Trump me probleme! Çfarë fshihet pas këmbëve të fryera?

Donald Trump është diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze, një çrregullim i zakonshëm që ndikon në qarkullimin e gjakut në këmbë, bëri të ditur Shtëpia...

Këlliçi: “Rama ka kthyer Shqipërinë në pazar të gjësë së gjallë”

Belind Këlliçi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Tiranë, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një...

“Lulzim Basha ishte ministër i Ramës për opozitën”

Belind Këlliçi ka lëshuar akuza të ashpra ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e cilësuar atë një ministër shtetit për opozitën të...

Lajme të tjera

Web TV