Kryeministri Edi Rama iu drejtua me një fjalë përmes lidhjes video Samitit në Kiev, ku liderët e BE u mblodhën për të përkujtuar 3-vjetorin e nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.
Në fjalën e tij, Rama solli në vëmendjes kthesën në qasjen e SHBA ndaj Ukrainës me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Skynews.
Rama tha se udhëheqësit e BE dukej se po vazhdonin sikur asgjë të mos kishte ndodhur – kur në fakt nën Shtëpinë e Bardhë të re gjithçka ishte ndryshe me një realitet të ri për Ukrainën.
“Unë mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur siç e dini të gjithë dhe pyetja është se si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe si… Evropa si kontinent mund të jetë efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të nxjerrë më të mirën nga diçka që po ndodh, një negociatë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Rama.
“Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim”, shtoi ai.
Rama përsëriti se Shqipëria qëndronte plotësisht pas Ukrainës dhe aleatëve të saj.
Por ai tha se kishte disa dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit – anën ushtarake – dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik./ S,M