Në Itali, autoritetet kanë vendosur se turistët do të duhet të rezervojnë përpara nëse duan të vizitojnë një nga plazhet më të njohura të ishullit të Sardenjës. Tuerredda është një gji spektakolar në formë gjysmëhëne që ndodhet në ishullin idilik italian, më pak se 200 metra larg bregut jugor të Sardenjës.
Në muajt e verës, numri i plazhistëve tashmë është kufizuar nga autoritetet lokale në vetëm 1,100 në ditë, por këshilli lokal i Teulada tani dëshiron që vizitorët të rezervojnë një vend nëpërmjet një aplikacioni përpara se të shijojnë rërën e saj të hollë me ngjyrë të artë dhe ujërat e kristaltë.
“Shpresojmë të fillojmë me sistemin e ri që në korrik”-tha për mediat lokale Angelo Milia, kryebashkiaku i Teulada. Me rreth 50 milionë turistë çdo vit, Italia është një nga disa vende evropiane që po përpiqet të ndalë fluksin e turistëve mes shqetësimeve për dëmet që ata bëjnë në vendet historike dhe sitet e bukurisë natyrore.
Qeveria kombëtare ka qenë e ngadaltë në miratimin e masave që mund të pengojnë vizitorët, veçanërisht gjatë festimeve të Vitit Jubilar të Vatikanit, duke ia lënë në dorë këshillave lokalë që të aplikojnë një qasje më agresive për të kontrolluar numrin e vizitorëve.
Në Tuerredda, autoritetet e Sardenjës kanë kufizuar numrin e vizitorëve që nga viti 2020 dhe kanë vendosur ndalime për qeset plastike të disponueshme, pirjen e duhanit dhe marrjen e rërës ose guralecave nga plazhi.
Javën e kaluar, ata u bashkuan me drejtuesit e 25 qyteteve turistike nga e gjithë Italia, duke përfshirë kryebashkiakët e Capri-t dhe Positano, për një samit të krizës në qytetin e Amalfit për t’u përballur me plagën e mbiturizmit./ S,M