Zgjedhjet e 11 majit treguan se Partia Socialiste është shumicë e padiskutueshme, me diferencë të llahtarshme nga partia e dytë më e madhe në vend, Partia Demokratike.
Kjo nuk ka nevojë për debat dhe ndoshta kjo diferencë në rang kombëtar do të thellohet edhe më shumë, nëse demokratët nuk ndryshojnë kupolën drejtuese.
Një fenomen domethënës, megjithatë, ndodhi brenda territorit të Bashkisë Tiranë, ku rezulton se PS nuk është shumicë. Socialistët morën 167 mijë vota, por partitë e tjera, përfshirë PSD e Tomë Doshit, morën më shumë (së bashku).
PD mori 110,4 mijë vota, Partia Mundësia 19,3 mijë vota, Nisma Shqipëria Bëhet 11,7 mijë vota, PSD 11,6 mijë vota, Lëvizja Bashkë 10,7 mijë vota, Koalicioni Euroatlantik 6,9 mijë vota, Koalicioni Djathtas për Zhvillim 1,7 mijë vota, kurse partitë e tjera të vogla rreth 2 mijë vota.
Gjithsej, partitë opozitare morën 174 mijë vota. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se shqiptarët votuan kandidatët e këtyre partive vetëm për arsye se janë kundër partisë në pushtet. Ka dhjetëra arsye pse një kandidat i partisë X merr votën e një qytetari.
Ajo që mund të thuhet është se panorama në territorin e Bashkisë Tiranë është e ndarë thuajse në dy pjesë të barabarta. Opozita, në zgjedhjet lokale të vjeshtës në Bashkinë Tiranë (nëse organizohen), duhet të kuptojë se ka shanse për të prodhuar garë vetëm nëse garon me një kandidat të përbashkët.
Nëse secila parti garon më vete, me nga një kandidat “personal”, atëherë rezultati do të jetë edhe më i llahtarshëm se ai i zgjedhjeve të 11 majit. Sigurisht, në favor të PS. m.p.