“M’u hiq qafe!” Kur politika të bën të dukesh si dëshmitar i Jehovait

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Sëmundja më e madhe e Shqipërisë sot nuk është politika, por guaska individuale, e cila po kthehet në një guaskë kolektive, me të cilën shqiptarët po shmangen nga politika. Nëse deri dje ishim të zhgënjyer, sot jemi të dorëzuar. Thënë më shkoqur, të pashpresë për një dritë në fund të tunelit. Nuk ka më kandar krahasues se kush është më i miri apo më i ndershmi. Vlen vetëm forca e fituesit.

Kur mundohesh t’i flasësh një miku për politikë, t’i kujtosh një detaj nga aktualiteti apo t’i përmendësh një politikan – të ri a të vjetër – merr një reagim befasues. “Mos, aman, mos! M’u hiq qafe me këto tema!” Këto fjalë, më shumë se reagim, ngjajnë si kundërveprim automatik ndaj një gjëje që miku yt nuk e honeps dot, i kall datën dhe… ia shpif.

Pikërisht kështu është. Duket sikur çdo temë për politikën është një orvatje e pakuptimtë për të nisur një bisedë kur je i paftuar. Aq e rëndë është situata, saqë në sytë e mikut tënd shfaqesh si dëshmitar i Jehovait. Po, po! Sa nis të thuash diçka rreth kësaj teme, miku pezmatohet dhe thuajse acarohet.

Ky është dëmi më i madh që kanë sjellë ujqit e vjetër të politikës në Shqipëri. Nëse deri dje mbillnin urrejtje, sot e mpijnë mizorisht nervin e shoqërisë sonë. Të rinjtë janë viktimat e para. Të rritur nga prindër të zhgënjyer, dikur ëndërrimtarë e pasionantë, shumë edhe fanatikë të një pale, ata nuk kanë asnjë fije durimi për të dëgjuar apo për të folur për politikë.

Kjo ka bërë që terreni për alternativat e reja të kthehet në një tokë të djegur. Ndoshta edhe më keq. Terreni është kthyer në shkretëtirë. Thuajse askush nuk shpreson se, pas disa kilometrash me rërë e thatësirë absolute, diku gjendet një oaz shpëtimi.

Kushdo që përmend fjalët “energji”, “shpresë” apo “qëndresë”, po fle në dafina. Mëton të paraqitet pompoz, me terminologji të fuqishme, thuajse spektakolare, por flet veçse me veten. Nëse një politikan sot mban një monolog përballë pasqyrës dhe të nesërmen një fjalim përballë qindra njerëzve, merr të njëjtin reagim: heshtje dhe injorim, të cilat ambalazhojnë (për një orë) përbuzjen.

Lexo edhe :  Shehaj reagon pas fitores së 2 mandateve/ Partia Mundësia është opozita e shekullit 21

Këshilla e vetme që mund t’u japësh sot aktivistëve dhe politikanëve të brezit të ri është të bëhen krijues. Nuk mjaftojnë ligjëratat e përpjekjeve të tyre të dështuara për t’u shfaqur si gazetarë investigativë duke treguar ligësinë e të vjetërve. Bilanci nuk ngjit. Nuk bind. Nuk mjafton.

Shqiptarët do të shkunden vetëm nëse shohin diçka krejtësisht të re, befasuese dhe të pazakontë. Ndoshta as kjo nuk do të jetë një gjë efikase, por është e pamundur që një emër i ri të korrë sukses thjesht se ka lindur pas vitit 1991. Duhet diçka më shumë. Deri tani nuk ka ndodhur.

Të rinjtë nuk duhet të jenë thjesht e kundërta e të vjetërve, por duhet të servirin një “çmenduri” në tregun politik. Duhet të jenë autentikë, jo thjesht të zëshëm. Nuk duhet të ngopen duke fituar minutazhe mëshire në televizion. Përkundrazi. Shfaqja në ekran i bën të duken krejtësisht njëlloj me të vjetrit.

Rrugëzgjidhja është rruga, lagjja, oborri i shtëpisë së votuesit. Nuk mund të jesh anti-sistem duke përdorur të njëjtën gjuhë dhe të njëjtat mjete me të vjetrit. Fatkeqësisht, deri më sot, të rinjtë të re kanë vetëm moshën. Ata duket sikur janë rritur duke ndjekur me kërshëri idhujt e tyre politikë. Jo në Europë apo SHBA, por këtu, në fshatin Shqipëri. Thellë-thellë, po t’i gërvishtësh pak kollaret e tyre, do të zbulosh se ëndrra e tyre është të përjetojnë ndjesinë e pushtetit dhe jo t’i tejkalojnë të vjetrit.

Këta të fundit nuk gjejnë arsye për të reflektuar. Kanë gjithçka që duan, një popull të painteresuar dhe që nuk beson askënd. Ata duan që të gjithë të duken njëlloj dhe kjo mpirje sociale të zgjatë përjetësisht. Reflektimi duhet të vijë nga të rinjtë, të cilët nuk duhet të bien në grackën e vesit të vetëkënaqësisë duke folur e duke thënë “Sa bukur fola!”, por të dëgjojnë votuesit. Duhet t’i pyesin për hapat e radhës, të kuptojnë se çfarë ndiejnë dhe se çfarë zgjidhjesh propozojnë.

Të rinjtë duhet të dëgjojnë heshtjen e popullit.

Sigurisht, nëse janë vërtet të rinj. mp

Të fundit

“Berisha ishte problemi në zgjedhjet e 11 majit”, Lesi kërkon dorëheqjen e kryedemokratit

Ish-deputeti, Nikollë Lesi, ishte i ftuar në Top Story në Top Channel, ku u diskutua se çfarë do të...

“PD ia dha vetë fitoren Ramës”, avokti Daci: Babai im dhe fëmija im ende shohin Berishën

Avokati Jordan Daci shprehet se pretendimet e PD-së për ‘tren bullgar’ në zgjedhjet e 11 majit nga PS-ja nuk qëndrojnë dhe madje janë iluzione...

Zija Ismaili, mjeku që firmosi “aksidentin” e Kosta Trebickës, sot deputet i Berishës

Në legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike ka futur në Kuvend Zija Ismailin, mjeku që firmosi ekspertizën mjeko-ligjore...

Mero Baze: Apartamenti i Veliajt sot ishte mesazh i koduar nga SPAK për britanikët

Ish-këshilltari i Tony Blair, Alastair Campbell ka kritikuar në podcastin e tij të fundit mbajtjen në burg të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pa...

“Artan Lame nuk ka ndërruar jetë!” Avokati Genc Gjokutaj akuzon mediat për lajmin fals

Avokati Genci Gjokutaj para pak minutash ka bërë një postim në rrjetin social Facebook, me të cilin njofton se Artan Lame nuk ka ndërruar...

Lajme të tjera

Web TV