Last Updated on 01/07/2025 by adminfjala
Kryeministri Edi Rama ka vizituar këtë të martë Çarshinë, një ndër lagjet më të vjetra shqiptare në Shkup, ku ka takuar shqiptarët e atjeshëm dhe ka konsumuar një drekë plot humor me ministrin Arben Taravari, përfaqësues të tjerë të komunitetit dhe shoqëruesit nga Tirana.
Siç shihet dhe nga pamjet që ai ka ndarë në llogarinë e tij në Facebook, shqiptarët e Shkupit janë dyndur në rrugët e Çarshisë për të pritur kryeministrin shqiptar dhe për të shkrepur fotografi me të.
Rama është shoqëruar nga ministri Blendi Gonxhja dhe ambasadori ynë atje, Denion Meidani, ndërkohë që është nga ministri shqiptar i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari dhe ish-ministri Bujar Osmani.
“Te Çarshia e Vjetër e Shkupit”, shkruan Edi Rama teksa ndan albumin fotografik nga vizita e veçantë në zemrën shqiptare të Shkupit.
Kryeministri i Shqipërisë ndodhet prej së hënës në Maqedoninë e Veriut, ku ka marrë pjesë në takimin e radhës mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, për Planin e Rritjes. Dje, ai është takuar dhe me kryeministrin Albin Kurti, i cili ishte pjesëmarrës në këtë event, si dhe politikanin e lartë shqiptar Ali Ahmeti. m.p.