Regjisori australian reflekton mbi miqësinë e tij 32-vjeçare me Stamp-in, i cili fillimisht ishte “tmerrësisht i frikësuar” të luante një grua trans – dhe mbi punën e tyre në vazhdimin e Priscilla.
Herën e parë që e pashë Terence ishte tek The Collector (1965), kur isha fëmijë. Ajo më ngeli në kokë si filmi më i frikshëm – më trembi tmerrësisht. Bukuria më e madhe e Terence ishin sytë e tij – në disa nga filmat e hershëm kjo nuk dallohej, por nga afër, kur ata shkëlqenin, ai mund të pushtonte një dhomë. Ai ulej dhe thoshte: “Shiko tani, do ta ndaloj gjithë restorantin.” Dhe e bënte vërtet. E kam parë me sytë e mi! Ishte diçka e jashtëzakonshme. Më tregonte se kur mërzitej gjatë xhirimeve të Superman, ngjitur në krye të kështjellës së akullt, argëtohej thjesht duke fiksuar të tjerët me sy deri sa në set binte heshtja.
Kur kërkonim aktorin për rolin e Bernadette tek The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert, provuam shumë aktorë, por të gjithë e refuzuan. Terence ishte në krye të listës sonë, por menduam se s’kishte për ta pranuar kurrë. Në të vërtetë, ai e refuzoi në fillim. Por papritur, agjenti i tij i tha: “Je i lodhur. Sapo mbarove disa filma superhero. Pse nuk provon diçka ndryshe?” Ishte e pabesueshme kur agjenti na tha: “Do të flasë për rolin.” Ne s’dinim si të silleshim nga gëzimi. Nëse ai e donte rolin, ai ishte i tiji.
E vërteta ishte frika. Dhe me të drejtë – mos harroni, ishim sapo dalë nga periudha e trazuar e HIV/Aids. Ishte temë tabu. Por unë shihja gjithë punën e tij, sidomos vitet italiane me Fellinin dhe Pasolinin, dhe e dija që ai ishte një njeri që merrte rreziqe. Dhe mendoj se ishte pikërisht momenti i duhur në jetën e tij për të marrë një tjetër.
Terence pranoi se ishte tmerrësisht i frikësuar të luante Bernadette – po zgjidhej si një nga burrat më të bukur në botë dhe befas, në Priscilla, ishte – dhe po e citoj fjalë për fjalë – “veshur si një qen plak”. Por ai e ktheu dhimbjen e asaj periudhe në interpretim – dhe kjo e bëri filmin aq të fuqishëm.
Mbaj mend ditën që doli për herë të parë në set si Bernadette. Nuk ishte saktësisht ajo që kisha imagjinuar, por ishte interesante. Ndërkohë, Terence pa veten në pasqyrë dhe shpërtheu. Që nga ai moment, në set nuk u lejua më asnjë pasqyrë. Ishte frika. Por ai e përfshiu atë frikë në rol – ai e dinte çfarë bënte. Kur i ofruan të shihte pamjet e para, tha: “Jo. Nëse po angazhohem, po e çoj deri në fund.”
Kur përfunduam xhirimet, ai e kishte kapërcyer frikën dhe Priscilla u bë një pikë e lartë e karrierës së tij. Me vite u bëmë shumë miq. Ai ishte vetmitar, por ne u bëmë shokë të ngushtë. Pas gjithë atyre shtresave, ai ishte thjesht një djalë i lagjes së Londrës Lindore, një djalë punëtor, dhe unë e doja që ma hapi atë botë – ndonjëherë shumë me fjalor “të rëndë”!
Terence ankohej shpesh se gjithmonë e pyesnin vetëm për dy gjëra: Priscilla ose Superman. Sa herë më thoshte: “Far From the Madding Crowd [1967] – kam punuar aq shumë për diçka madhështore dhe është harruar.” Unë i thosha: “Kështu është koha, Terence.” Ai përgjigjej: “Por Priscilla është 30 vjeç. Pse nuk harrohet? Më pyesin vetëm për dy filma, dhe njëri është qelbësira Priscilla.” Dhe unë qeshja. Aty filluam të flisnim për një vazhdim të Priscilla. Le të themi thjesht që – ai pranoi ta bënte vazhdimin disa vite më parë dhe kemi qenë shumë të zënë me të vitin e fundit.
Në fund të karrierës, punonte kryesisht për ta argëtuar veten. Ishte i zgjedhës – nëse kishte parë diçka të ngjashme, nuk e donte. Por nëse diçka i zgjonte interesin, e merrte. Vitet italiane ishin të pabesueshme. Ai më thoshte: “Thjesht shkoja nga njëri tek tjetri – nëse dikush kishte diçka interesante, e bëja. Gjithmonë ka qenë kështu.”
Terence ishte një enigmë. Dhe pastaj shfaqej, përdorte sytë, dhe të gjithë shkriheshin. Ishte një njeri i mrekullueshëm – dhe nuk ka mbaruar ende.
Përgatiti: L.Vezi