Një raport i Eurostat ka konfirmuar se 100% e edukatorëve në çerdhet dhe kopshtet e Shqipërisë janë gra, pra nuk ka asnjë burrë. Kjo statistikë e rendit Shqipërinë mbi çdo vend tjetër në kontinent, ku megjithatë mesatarisht rreth 95% e mësuesve në parashkollor janë gra. Sipas sociologëve, stereotipat shoqërore dhe perceptimi për rolin e burrit në familje ndikojnë që meshkujt të mos e zgjedhin këtë profesion.
“Si rregull, gruaja është ajo që edukon fëmijën”, – thotë një zotëri. “Disa punë u kanë ngelur grave. U janë trashëguar”, – thotë një tjetër zotëri. Ky mentalitet i ka dhënë një rekord absolut Shqipërinë në një renditje të të gjitha vendeve evropiane. Përveç mikro shtetit të Lihtenjshtejnit, vendi ynë është i vetmi mes 38 shtetesh në Evropë që nuk ka asnjë edukator burrë në sistemin parashkollor. Deri në 2024-n Eurostat thoshte se100% e mësueseve apo edukatoreve janë gra dhe vajza. Sakaq, në institucione se kjo përqindje nuk ka ndryshuar as në vitet e fundit.
Specialistët e lidhin drejtpërdrejt me stereotipat dhe traditën shoqërore. “Edukimin ja kemi besuar kryesisht në hapat e para të jetës dhe vitet e para të jetës, përfshirë këtu dhe parashkollorin, por dhe ciklin e ulët në përgjithësi vetëm gruas, sepse tek figura e saj kemi parë njëherazi edhe rolin e nënës, ngrohtësinë, vëmendjen, përkujdesjen, përkushtimin ë ndonjëherë edhe atë përfshirjen, gjithë përfshirjen.”, thotë Entela Binjaku, sociologe.
Por përtej traditës, ndikim kanë edhe faktorët ekonomikë. Sipas Binjakut, shumë burra nuk e shohin profesionin e edukatorit si një zgjedhje të favorshme financiarisht. “Shpesh herë ata duke qenë edhe kryefamiljarë kërkojnë punë që janë më të paguara, që i lidhen ata më shumë me detyrat familjare apo me detyrat jashtë familjes që kërkojnë më shumë të ardhura dhe ata nuk e shikojnë domethënë kryesisht te arsimi i ulët”, shprehet sociologia
Edhe të rinjtë vetë e konsiderojnë punën me fëmijët një angazhim të vështirë. “Të merresh më fëmijë, nuk e di në fakt. Unë jam kamerier, e di çfarë do të thotë të merresh me njerëz, po me fëmijë është më ndryshe.” tha një 18-vjeçar. Por a është gati vetë shoqëria shqiptare të pranojë burra edukatorë në çerdhe e kopshte? “Mendoj që për shoqërinë tradicionale është shumë e vështirë që të thyejë këtë lloj stereotipizimi që ka. E vështirë që të vësh në rolin e edukatorit një mashkull dhe sigurisht e shikoj të ketë mosbesim, ngurrim, hezitim dhe ndoshta dhe një lloj pa qetësie”, shprehet sociologia, Binjaku.
Megjithatë, ka edhe nga ata që besojnë se profesionalizmi vlen më shumë se gjinia. “Të jetë njëri e të bëjë punën. S’ka ndryshim femër apo mashkull”, tha një zotëri. Megjithatë e vërteta është që edukimi në sistemin parashkollor mbetet bastion absolut i grave dhe vajzave në të gjithë Evropën. Në të gjithë Bashkimin Europian, për vitin 2024, 95.1% e edukatorëve ishin gra. Përqindjet më të larta të mësueseve gra u gjetën në Rumani me 99.7%, Sllovaki me 99.6% dhe Hungari me 99.5%. Në anën tjetër me numrin më të ulët ishin vendet më të zhvilluara si Danimarka me 92.5%, Franca me 91.6% apo edhe Holandë që kishte 87.8% të edukatoreve gra dhe 12.2% ishin burra./mxh
