Akuzat për përdhunim dhe sulm seksual në këtë dokumentar mbi serialin e Channel 4 janë thellësisht shqetësuese dhe zbuluese. A është ky fundi i MAFS-it?
Lucy Mangan
Po. O Zot i madh. Akuzat për përdhunim dhe sulm seksual kanë dalë nga një reality show i ndërtuar mbi idenë e të huajve që “martohen” në shikim të parë, pastaj bashkëjetojnë me shpresën se do të zhvillojnë një marrëdhënie “martesore” — dhe nëse jo, përballen me një panel “ekspertësh” që i pyet pse jo. E gjithë kjo zhvillohet nën presionin e xhirimeve dhe nën oreksin e pangopur të televizionit për dramë emocionale dhe konflikt, me situata të fabrikuara si darka në grup, të dizajnuara për të ndezur çdo tension. Në këtë kontekst, e vetmja surprizë reale është që këto akuza nuk kanë dalë më herët.
Episodi i fundit i Panorama-s, The Dark Side of Married at First Sight (Ana e Errët e të Martuarve në Shikim të Parë), prezantohet nga Noor Nanji, e cila më parë ka punuar në hetime mbi akuza për sjellje të pahijshme seksuale dhe abuzim në prapaskenë në prodhime të njohura të BBC-së si Strictly Come Dancing dhe MasterChef. Këtë herë, fokusi është mbi dëshmitë e tre ish-pjesëmarrëseve të shfaqjes së Channel 4 (MAFS UK), që ka 10 sezone dhe vazhdon ende, duke u bazuar në formatin origjinal danez të vitit 2013 dhe versionet ndërkombëtare.
Lizzie dhe Chloe — emra të ndryshuar — thonë se janë përdhunuar nga bashkëshortët e tyre në ekran, ndërsa Shona Manderson, e cila flet me identitetin e saj, thotë se ka përjetuar një akt seksual pa pëlqim. Të gjithë burrat i mohojnë akuzat.
Lizzie përshkruan se si, pas “muajit të mjaltit”, bashkëshorti i saj në ekran filloi të shfaqte sjellje agresive. Sipas saj, pasi filluan të flinin bashkë, marrëdhënia seksuale u bë e dhunshme, duke i lënë shenja fizike. Ajo thotë se ai e kërcënoi: nëse do i tregonte dikujt, “do të gjente dikë që t’i hidhte acid”, dhe më pas — duke i thënë “nuk mund të thuash jo, je gruaja ime” — e përdhunoi.
Ajo pretendon se, pavarësisht se e kishte njoftuar produksionin CPL Productions për kërcënimin dhe lëndimet, xhirimet vazhduan dhe episodi u transmetua. Pas transmetimit, ajo thotë se “u rrëzua psikologjikisht” dhe më vonë e raportoi ngjarjen si përdhunim. Channel 4 u njoftua, por deklaroi se nuk mund të gjykohej në mënyrë të plotë vendimmarrja editoriale pa informacionin që nuk ishte i disponueshëm në atë kohë.
Chloe rrëfen një histori të ngjashme: “Thashë jo. Ai buzëqeshi me përçmim, më lëvizi këmbën, u vendos sipër meje dhe vazhdoi gjithsesi. Nuk doja që të zemërohej kur të vinin kamerat. Thjesht qëndrova pa reaguar.” Ajo shton se më vonë ai u zemërua pse ajo nuk kishte reaguar, duke i thënë: “Po më bën të ndihem si përdhunues!”
Ka mjaft material në këtë program gjysmëorësh për të ushqyer jo një, por qindra dokumentarë të tjerë. Dhe kjo para se të llogariten reagimet në rrjetet sociale: nga akuzat se viktimat “gënjejnë për kompensim”, te diskreditimi i tyre për pjesëmarrje në reality show, apo justifikimi i sjelljes së dhunshme si “keqkuptim”.
Në thelb, dokumentari trajton pyetjen e përgjegjësisë: kur produksioni dhe Channel 4 kanë qenë në dijeni të akuzave, kur duhej të ndërpritej xhirimi apo transmetimi, dhe çfarë detyre kujdesi kanë ndaj pjesëmarrësve. Këto janë pikërisht pyetjet që do të dominojnë çdo hetim të mëtejshëm institucional dhe ligjor.
Megjithatë, për publikun, përfundimet mund të jenë më të ndërlikuara. Disa mund të tronditen nga vetë koncepti i formatit. Të tjerë mund të reagojnë me lodhje ndaj idesë se as verifikimi, as mbështetja psikologjike nuk mjaftojnë në një mjedis ku të huajt izolohen, nën presion emocional dhe social, dhe shtyhen drejt situatave të rënda konfliktuale.
Në një shoqëri ku dhuna ndaj grave mbetet e përhapur dhe shpesh e normalizuar, këto histori nuk janë vetëm çështje televizive, por pasqyrim i një problemi më të gjerë kulturor.
Nëse ky është fundi i MAFS-it, nuk do të ishte për t’u çuditur. Nëse jo, as kjo nuk do të ishte surprizë.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
