Last Updated on 22/08/2025 by adminfjala
Azmer Duleviç, inxhinier elektrik dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit në listat e “Shqipëria Bëhet”, ka njoftuar se të gjithë fëmijët që kanë humbur prindërit, do të kenë kurse falas në akademinë e tij profesionale.
“Sot mora një lajm që më preku, një nga studentët e mi, pa të dy prindërit (jetim), u punësua si elektricist. Nuk ka fjalë që përshkruajnë gëzimin tim në këto momente”, shkruan ai. Nisur nga ky rast, Azmeri thekson se në akademinë e tij “iTech Academy”, kurset për fëmijët jetimë do të jetë falas.
“Për sa kohë unë do ta drejtoj qendrën e trajnimeve iTech Academy, kurset për jetimët do t’i ofroj falas pikërisht për t’ja ndryshuar sadopak jetën edhe atyre që nuk kanë mundësi ekonomike. Mbase është pak por unë kaq kam mundësi të bëj”, shkruan inxhinieri.
Pas javë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, Azmer Duleviç njoftoi publikisht tërheqjen nga angazhimi politik me Lëvizjen Shqipëria Bëhet, një parti e re e drejtuar nga Adriatik Lapaj, e cila garoi për herë të parë dhe siguroi një vend në Parlament.
Vetë Azmeri e humbi mandatin në qarkun e Fierit për shumë pak vota dhe pavarësisht se garoi në një bastion historik të socialistëve, ai sërish ishte më këmbë në tokë kur pranoi rezultatin me shumë qytetari, nuk kërkoi të fajësojë askënd dhe nuk ngriti akuza për vjedhje votash.
Edhe vitin e kaluar kur nuk ishte ende personazh publik dhe nuk ishte angazhuar me ndonjë parti, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, inxhinieri Azmer Duleviç u bëri thirrje të gjithë të rinjve që kishin humbur prindërit që ta kontaktonin sepse do ju garantonte një kurs falas.
Jo vetëm si elektriçsit, por dhe si programues kamerash, sistemesh alarmi, programim PLC dhe programim KNX Smart Home.
Një nismë e veçantë dhe për t’u duartrokitur, nga një qytetar, një profesionist dhe një sipërmarrës i thjeshtë që me aq mundësi sa ka, vendos të bëjë mirë dhe t’u japë zanatin të gjithë të rinjve që duan të kenë një të ardhme me të mirë. Sigurisht, me punë të ndershme.
m.p.
