Last Updated on 26/08/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Gushti i këtij viti do të mbahet mend si një muaj i zi për vendin. Në vend të gëzimit të verës, plazheve të mbushura dhe festave që premtuan një Shqipëri turistike, ai na shërbeu vetëm si një kronikë të zezë. Aksidente të përgjakshme, atentate, vrasje brenda familjes, dhunë pa fund dhe viktima të pafajshme. Çdo mëngjes, lajmi i parë që del në ekran nuk është as dielli mbi Adriatik, as ndonjë rekord turistik, por një tjetër tragjedi.
Vdekja e dy motrave të reja, 20 dhe 22 vjeç, të përplasura nga një shofer i dehur 23-vjeçar, u bë simboli i dhimbshëm i këtij muaji të errët. Një dramë që nuk prek vetëm një familje, por të gjithë ne: sepse dëshmon se jeta njerëzore në këtë vend ka nisur të humbasë vlerën e saj më themelore.
Iluzioni mbi një realitet të përgjakur
Këto ngjarje nuk janë episode të veçuara. Ato pikturojnë një tablo të njohur, që na rikthen pas në kohë. Nuk kemi më bunkerë dhe mitraloza si në vitin 1997, por kemi një tjetër lloj rrënimi: një shtet që shpërfaqet i brishtë, i paaftë për të garantuar siguri.
Dhe mbi këtë rrënim ngrihet një iluzion i madh. Propaganda e turizmit masiv, fotot e plazheve të tejmbushura, festivalet që na shiten si triumfe. Por ato janë veç një mbështjellje e pakujdesshme mbi një realitet të përgjakur, një grimcë shkëlqimi mbi një trup të sëmurë. Dhuna dhe krimi po e gërryejnë përditë këtë vend, pavarësisht kartolinave që na serviren.
Ku po shkojmë, vërtet?
Pyetja ngrihet vetiu: Quo vadis? Ku po shkon Shqipëria, në të vërtetë?
A beson dikush me të vërtetë se po i afrohemi Evropës, siç na përsërisin politikanët me fjalime të stërzgjatura dhe ceremoni integrimi? Apo, më shumë se kaq, po i afrohemi Ukrainës dhe Gazës, ku gjaku dhe viktimat janë përditshmëri, e ku jeta njerëzore është vetëm numër në statistika?
Si mund të ketë shpresë një shoqëri ku qytetari nuk guxon të hapë lajmet në mëngjes nga frika se çfarë do të shohë i pari në ekran? Një shoqëri ku dhuna është bërë normalitet, ku shteti vjen gjithmonë pas tragjedisë, por asnjëherë përpara saj?
Më shumë se një muaj, një pasqyrë
Gushti i këtij viti nuk është thjesht një muaj i keq. Ai është një pasqyrë e zymtë ku shohim fytyrën tonë të vërtetë. Një thirrje e fortë që nuk duhet injoruar. Sepse këto ngjarje tregojnë jo vetëm krizën e shtetit ligjor, por edhe mungesën e ndërgjegjësimit qytetar dhe kulturën e dhunës që po ngulitet gjithnjë e më thellë në indin e shoqërisë sonë.
Dhe për aq kohë sa nuk guxojmë të japim një përgjigje, për aq kohë sa nuk kemi kurajë të pranojmë të vërtetën, pyetja do të mbetet pezull, e rëndë dhe e frikshme:
Quo vadis, Shqipëri?
