Last Updated on 12/07/2026 by EL
Nga Klodian Pasku
“Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.”
Në poezinë “Anës lumenjve”, Noli përshkruan me ngjyra të forta atë periudhë, e cila, në imagjinatën kolektive, shihet bardhezi, për shkak të imazheve të mbërritura prej asaj kohe, ndonëse edhe atëherë ekzistonin kontraste, që, në disa aspekte, tejkalojnë ato të sotmet. Ndërsa shoqëria e sotme shumëngjyrëshe i sfumon kontrastet, deri në atë pikë, sa të duken si garniturë e kotë për shoqërinë e salloneve “radical chic” dhe të diktaturës së estetikës së homologuar në mënyrë të njëtrajtshme.
Çuditërisht, edhe në këtë shoqëri shumëngjyrëshe, si për ironi të fatit, ngjarjet vendosen pranë lumenjve: Nartë-Zvërneci, pranë Vjosës dhe Rrjolli, pranë Bunës.
Derbederët me pushtet e batërdisën vendin, sikur të ishte mall pa zot, pa dashur t’ia dinë për ligj, për sa kohë ai është në dorë të “Maliqit”. Militantizmi partiak dhe klientelizmi i ryshfetit korrin të pashqetësuar frytet e kësaj politike shtetërore.
Këta janë, sigurisht, pjesë e problemit. Por fajin më të madh ia lë mefshtësisë sonë si popull, që vazhdon të përsërisë gjithmonë të njëjtat gabime dhe të njëjtat qarje, pa bërë përpjekje për t’i ndryshuar gjërat, duke vazhduar të votojë të njëjtat surrate. “Një popull që zgjedh njerëz të korruptuar, mashtrues, hajdutë, tradhtarë, nuk është viktimë, është bashkëpunëtor” – thotë Xhorxh Oruelli.
“Përvoja është një nga shumë gënjeshtrat konvencionale. Nuk shërben për asnjë qëllim, sepse çdo veprim në jetë është një ngjarje e re që duhet zgjidhur përmes intuitës. Në të vërtetë, për shekuj me radhë, njerëzimi ka kryer të njëjtat gabime dhe i ka paguar ato me gjak.” Kështu shprehej Musolini në intervistën e tij të fundit.
Pra, ne jo vetëm që nuk mësojmë nga e kaluara, por kemi edhe mungesë të theksuar intuite, për të kuptuar dinamikat e reja në kohëra ndryshimesh të mëdha.
Është antishkencore, të thuash që historia përsëritet. Megjithatë, mund të themi me plot gojë, që përngjasimet janë të mëdha. Megjithëse Tirana është një qytet, i cili prodhon tiranë, nuk na shfajëson aspak. Tre-katër autokratë a diktatorë në një shekull është shifër jashtëzakonisht e frikshme! Prandaj duhet t’i vëmë gishtin kokës.
Marksi e tha dikur me shaka: “Historia perseritet dy herë; herën e parë si tragjedi, herën e dytë si komedi”. Megjithëse ne i kemi kaluar tashmë pritshmëritë. Jemi përtej herës së dytë. Ndonëse, për fatin tonë të mirë, këtë radhë, më shumë si komedi sesa si tragjedi.
Po e mbyll me disa vargje të tjera të Nolit, të përshtatura me rrethanat në të cilat ndodhemi:
“Rroftë Edi Rama, rroftë!
Shakaxhiu i përparimit.
Brez pas brezi u kujtoftë
si stërnip i Nastradinit!”
