Boritë e makinave, çfarë stresi në Tiranë!

Të jetosh në Tiranë është çmenduri! Fishekzjarret në mes të natës dhe boritë e makinave vend e pa vend, ndoshta janë e keqja më e vogël, por jo më pak shqetësuese për banorët.

Me t’u ndezur drita jeshile, shoferët janë gati t’i bien borisë. Kjo zhurmë në Shqipëri nuk njeh limit në asnjë orë të ditës.

Niveli i zhurmës gjatë ditës në disa zona të Tiranes ka arritur në 69.8 decibel, duke e tejkaluar me 27% normën e lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që është 55 dB.

Lapraka rezulton zona më e zhurmshme e Tiranës, sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Pas Laprakës, zonat më të zhurmshme janë Stacioni i Trenit dhe kryqëzimi te Vasil Shanto, ndërsa më pak i ekspozuar rezulton stacioni te “Shkolla e Bashkuar”.

Sipas ekspertëve, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre niveleve zhurme ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve, duke shkaktuar probleme me dëgjimin, çrregullime të gjumit, stres dhe agresivitet.

Kodi rrugor parashikon se boria lejohet të përdoret vetëm në raste rreziku dhe se çdokush që përdor borinë përtej përjashtimeve duhet të ndëshkohet me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.

Megjithate, në realitet shoferët nuk shqetësohen aspak nga ligji, sepse kontrollet për këtë shkelje duket se janë të pakta./E.T