Gratë jashtë tregut të punës, miliarda euro humbje për Kosovën

Shkalla e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës në Kosovë mbetet vetëm rreth 25 për qind, duke i kushtuar vendit miliarda euro humbje ekonomike. Pjesëmarrja e grave në punë vazhdon të jetë e ulët në Kosovë. Kështu është thënë në një tryezë të organizuar nga Instituti Riinvest, ku temë diskutimi ishte, “Zhbllokimi i potencialit: Kostoja ekonomike e potencialit të pashfrytëzuar të grave”.

Në prezantimin e këtij raporti u tha se ndër pengesat kryesore që ndikojnë në moskyçjen e grave në tregun e punës janë normat gjinore dhe stereotipet, përgjegjësitë e kujdesit, mangësitë gjinore të legjislacionit të punës dhe pjesëmarrja e ulët e grave në pozita vendimmarrëse.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani ka hedhur në pah barrierat me të cilat përballen gratë në Kosovë.

“Dokumenti i politikave që do te prezantohet sot, ‘Zhbllokimi i potencialit: Kostoja ekonomike e mos-përfshirjes së grave nga tregu i punës në Kosovë’, hendeqet gjinore në punësim dhe pjesëmarrje në tregun e punës përbëjnë një nga sfidat më të mëdha strukturore të vendit tonë. Megjithëse Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet shumë e ulët. Gratë vazhdojnë të përballen me barriera që në mënyrë sistematike kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës, e më gjerësisht në ekonomi.

Hashani tha se rezultatet e hulumtimit tregojnë mosshfrytëzimin e potencialit për rritje ekonomike.

“Por, ky dokument nuk na sjell vetëm një pasqyrë të problemeve – ai na sjell edhe një mesazh të rëndësishëm. Rezultatet e matjeve për Kosovën janë të qarta: mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund të rrisë PVB për kokë banori ndërmjet 19-21%. Madje, edhe vetëm mbyllja e hendekut në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore mund të sjellë një rritje prej gati 6% në PVB për kokë banori”.

“Për të nxjerrë këto rezultate është përdorur një metodologji, e cila përkundër kufizimeve të veta, arrin të evidentoj koston e mospjesëmarrjes në tregun e punës, si dhe ofron mundësi të krahasimeve me vendet tjera. Këto nuk janë thjesht shifra, këto janë tregues të një potenciali të madh të pashfrytëzuar, të një mundësie konkrete për rritjen ekonomike dhe mirëqenien e të gjithë qytetareve tanë”.

Koordinatori i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Stephan O‘Malley tha se pa pjesëmarrje të grave në tregun e punës Kosova do të ecë më ngadalë drejt Agjendës 2030.

Lexo edhe :  "Në PD shkojnë në zgjedhje vetëm me militantë, se s'ka meritokraci. Zgjerojeni rrethin!"

“Kosova ka popullatën më të re në Evropë, por nëse të rejat mbeten të përjashtuara, ky avantazh demografik humbet. Ndikon edhe në kohezionin shoqëror. Hendekët e qëndrueshëm mes burrave dhe grave thellojnë pabarazinë dhe zvogëlojnë besimin. Dhe ndikon në rrugën e zhvillimit të Kosovës. Barazia gjinore është Objektivi i 5-të i Zhvillimit të Qëndrueshëm, por ajo shtyn përpara edhe Objektivin 8 për punë të denjë, Objektivin 10 për uljen e pabarazive dhe madje edhe Objektivin 1 për çrrënjosjen e varfërisë”.

Shefja e zyrës nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA), Visare Mujku tha se kjo problematikë është urgjencë që kërkon veprim të menjëhershëm.

“Ky nuk është thjesht një problem social, është një problem i rëndësishëm ekonomik. Kërkimi zbulon një mundësi të prekshme me vlerë multi-miliarda euro. Duke mbyllur hendekun gjinor në punësim, ne mund të rrisim PBB-në për frymë deri në 21.1%. Kjo nuk është një shifër teorike. Ky ishte një udhërrëfyes për një të ardhme më të begatë. Ky problem është një urgjencë që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të bashkërenduar nga të gjithë sektorët e shoqërisë Kosovare-nga institucionet deri te sektori privat”.

Prezantimin e dokumentit e bëri hulumtuesja në Institutin Riinvest, Erisa Kallaba Krasniqi e cila potencoi se Kosova e zë vendin e parë në Evropë dhe atë të pestë në botë sa i përket pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës.

Kallaba-Krasniqi theksoi se përkundër faktit se gjysma e popullsisë në Kosovë është e përbërë nga gratë, vetëm 25  për qind, apo një në katër gra në Kosovë marrin pjesë në tregun e punës

“Kosova zë vendin e parë në Evropë dhe vendin e pestë në botë sa i përket shkallës së ulët të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Përkundër faktit se gjysma e popullsisë në Kosovë është e përbërë nga gratë, vetëm 25  për qind, apo një në katër gra në Kosovë marrin pjesë në tregun e punës”.

Ndër të tjera, Kallaba-Krasniqi tha se barrierat kryesore që ndikojnë kyçjen e grave në tregun e punës janë normat gjinore dhe stereotipet, përgjegjësitë e kujdesit, mangësitë gjinore të legjislacionit të punës, pjesëmarrja e ulët e grave në pozita vendimmarrëse dhe mospërputhja e aftësive dhe zgjedhjet e arsimit./Monitor.al