Gjykata Kushtetuese ka hedhur shortin për shqyrtimin e kërkesës që lidhet me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. Gazetarja Glidona Daci raporton se relatore e çështjes është caktuar gjyqtarja Sonila Bejtja.
Ky zhvillim vjen pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me shumicë votash një vendim për të shpallur vakancën në postin e kryebashkiakut, pas vendimit penal të Gjykatës së Posaçme ndaj Veliajt, çka u kundërshtua menjëherë nga ky i fundit, i cili e çoi çështjen në Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e vendimit.
Gjykata Kushtetuese ka një afat maksimal prej 4 muajsh për të marrë një vendim përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e shkarkimit, por nëse çështja cilësohet me urgjencë, ajo mund të shqyrtohet edhe më herët.
Ndërkohë, procesi mbetet nën vëmendjen e opinionit publik dhe aktorëve politikë, ndërsa pritet me interes edhe hapi i radhës nga Këshilli i Ministrave, që ka ende në dorë dërgimin e vendimit për vakancën në Presidencë, hap që do çonte më pas në dekretimin e zgjedhjeve të reja lokale nga Presidenti i Republikës./kb