Etleva Skonja
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që akuzohet në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë në vijimësi ka mohuar përgjegjësinë.
Sipas tij, ministri është civil nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprime teknike të strukturave ushtarake ose pavarësisht detyrës.
Mediu ka deklaruar më herët se hetimet janë tërësisht tendencioze ndaj tij, ndërsa thekson se ka zgjedhur t’i shmanget debatit mediatik për këtë çështje, pasi sipas tij “gjyqet popullore apo demaskimet e ‘frontit’ si armik i klasës i përkasin kohës së diktaturës”, dhe se nuk kanë të bëjnë me të drejtat themelore të shtetasit dhe me një gjyqësor demokratik.
“Kjo çështje e gjykuar dhe rigjykuar në të tre shkallët e gjyqësorit, ndërtohet mbi të njëjtën akuzë tashmë edhe të parashkruar, të ringjallur dhe të stisur politikisht, me qëllim parësor hedhjen në tregun mediatik dhe propagandimin institucional të SPAK”, ka thënë Mediu.

Mediu thekson se ajo që ndodhi në Gërdec, nuk ka si shkak urdhërat e ministrit të Mbrojtjes.
“Këto urdhëra kanë dalë në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave. Detyrimi për kryerjen e demontimit ka buruar nga këto akte dhe nga angazhimet ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE”, është shprehur më tej ai.
Në fakt që me nisjen e hetimeve Mediu ka tentuar të shmanget përgjegjësive, njësoj si si tani.
Një kapitull i errët nga e kaluara ka dalë në pah gjatë procesit të Vettingut, të prokurorit Sokol Stojani ku u bë publik një denoncim që Mediu kishte bërë ndaj ti.
Një akuzë që Stojani e ka ka konsideruar si përpjekje shantazhi, me qëllim të zhvendosjes së hetimeve ndaj tij dhe dobësimin e grupit hetimor.
Mediu denoncoi prokurorin që hetonte Gërdecin
Më datë 24.03.2009, Fatmir Mediu kallëzoi prokurorin Sokol Stojani për shpërdorim detyre në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Mediu ka kallëzuar faktin se më datë 19 mars 2009 ai ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion”. Sipas tij, prokurori Sokol Stojani ka komunikuar me SMS me gazetarët që kanë qenë pjesë e panelit të emisionit, ku ka qenë i ftuar edhe Mediu. Në këto komunikime, sipas Mediut, prokurori u ka sugjeruar gazetarëve pyetje publike. Këtë veprim, Mediu e konsideroi si vepër penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 21.04.2009 vendosi “Mosfillmin e procedimit penal nr., datë 27.03.2009”, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Stojani ka shpjeguar se, pasi grupi hetimor nisi procedimin kundër Mediu për shpërthimin në Gërdec, Mediu ka tentuar të përdorë kallëzime penale dhe truke procedurale për të diskredituar hetimin dhe për të imponuar largimin e Stojanit nga drejtimi i grupit.
“Ky kallëzim nuk ishte rrufe në qiell të pastër, por pjesë e një strategjie për të dëmtuar kompaktin dhe kredibilitetin publik të grupit të hetimit, nëpërmjet shantazhimit e baltosjes së figurës, apo dhe duke përdorur truke procedurale. Duke ngritur pretendime -që në fakt nuk mund të konsideroheshin si shkaqe ligjore, – ish-ministri i proceduar penalisht prej nesh synonte të vepronte taktikisht me kërkesa procedurale, që t’i imponohej Prokurorit të Përgjithshëm, por dhe mua si drejtues i hetimeve ndaj tij për të dhënë dorëheqjen nga çështja apo për ta përdorur si shkak ligjor për zëvendësimin tim nga grupi i hetimit dhe mosinformimin e Prokurorit të Përgjithshëm rreth gjendjes së procesit hetimor, me argumentin e konfliktit të interesit”, është shprehur prokurori, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Stojani ka mohuar të dorëhiqet nga drejtimi i hetimeve për Gërdecin, duke argumentuar se pretendimet e përdorura për largimin ishin të pabazuara ligjërisht.
“Duke i vlerësuar me seriozitet situatat dhe mjetet e përdorura nga ish-ministri etj., duke mbajtur parasysh interesat e mbarëvajtjes së hetimit të çështjes, në mënyrë që të mos cenohej uniteti i grupit pas një dorëheqjeje tjetër, që në thelb do ishte komoditet si për Prokurorin e Përgjithshëm, ashtu dhe për mua personalisht, morëm përsipër përgjegjësitë dhe natyrisht që dhe unë refuzova dorëheqjen, duke i rrëzuar shkaqet për përjashtim si të pabazuara ligjërisht. Ndërkohë, lidhur me kallëzimin ndaj meje ka vendosur prokurori i çështjes, vendim i cili është tashmë i formës së prerë dhe i pacenueshëm ligjërisht”, ka sqaruar Prokurori.
KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) në vendimin për Vetingun e Stojanit vëren se akuzat ndaj tij (nga Mediu) ishin pjesë e një strategjie për të minuar integritetin e grupit hetimor.
Akuzat e SPAK
Sipas SPAK, Fatmir Mediu, ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë i plagosën.
Ish-ministri i i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.
SPAK pretendon se Mediu, kur ishte ministër, ka nxjerrë akte nënligjore jashtë kufijve ligjorë lidhur me shitjen, transferimin dhe çmontimin e municioneve që kanë përfituar kompanitë ndërkombëtare Albademil dhe SAC Inc.
Gjithashtu SPAK pretendon se aktet e firmosura nga Mediu kanë sjellë përfitime të padrejta për kompanitë ndërmjetëse dhe kanë dëmtuar interesin public
Në dosjet e hetimeve të SPAK-ut përfshihet edhe segmenti që lidhet me korrupsion pasiv dhe pastrim parash për operacione me municione, veçanërisht në tregtimin ndërkombëtar dhe paketimin/manipulimin e çmimeve./Fjala.al