Last Updated on 12/05/2026 by Monika
Presidenti i Real Madrid, Florentino Pérez, doli në një konferencë të papritur për shtyp, ku adresoi një sërë çështjesh që lidhen me situatën aktuale në klub.
Në fjalën e tij, Pérez kritikoi ashpër publikimin e konflikteve të brendshme mes lojtarëve, duke theksuar se përplasje të tilla kanë ndodhur gjithmonë, por ajo që e konsideroi të papranueshme ishte rrjedhja e informacionit në media. Ai akuzoi një pjesë të gazetarëve për, sipas tij, “orkestrim të një klime kaosi” rreth klubit.
Presidenti madrilen konfirmoi gjithashtu se do të shpallen zgjedhje të reja në klub, ku ai vetë do të rikandidojë së bashku me të njëjtën bord drejtues. Pérez u shpreh i vendosur të mos japë dorëheqjen, duke theksuar se do të largohet vetëm nëse humbet zgjedhjet.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së tij iu kushtua çështjes së ashtuquajtur Caso Negreira, për të cilën ai akuzoi se ka dëmtuar konkurrencën në futbollin spanjoll. Sipas tij, FC Barcelona ka përfituar nga kjo situatë, ndërsa bëri të ditur se klubi madrilen do të paraqesë një dosje të plotë në UEFA.
Pérez nuk kurseu kritikat as ndaj mediave, duke folur për një “rrymë antimadrileniste”, ndërsa shtoi se ka interesa të caktuara që synojnë destabilizimin e klubit. Ai theksoi se Real Madrid mbetet një nga klubet më të fuqishme financiarisht dhe sportivisht në botë.
Në fund, presidenti i klubit garantoi se do të vijojë betejën për mbrojtjen e interesave të Real Madrid dhe të anëtarëve të tij, duke e konsideruar këtë moment si vendimtar për të ardhmen e klubit./mxh
