Ishte një seri vrasjesh brutale që tronditi Italinë – megjithatë, ende dihet kaq pak. Pse u vranë çiftet e dashuruara në makina? Pse organet e tyre seksuale ishin shpesh në shënjestër? Autori Tobias Jones shqyrton provat.
Disa çështje kriminale janë aq të ndërlikuara sa edhe numri i viktimave mbetet i paqartë. Në rastin e pazgjidhur të “Përbindëshit të Firences”, që ka mbërthyer Italinë për gjysmë shekulli, dihet se janë vrarë shtatë çifte. Por disa thonë se janë tetë, dhe të paktën edhe 16 vrasje të tjera janë lidhur me këtë rast. Numri i të dyshuarve pothuajse i barazon viktimat. Fillimisht ishte “pista sarda”, linja hetimore sarde që lidhej me vëllezërit Vinci – tutorë dhe përfitues të grave – të cilët dyshohej se kishin dorë në “vrasjen e parë” në vitin 1968.
Në vitet 1990, përdhunuesi Pietro Pacciani u dënua, por më vonë u shpall i pafajshëm. Në vitin 2000, bashkëpandehurit e tij Mario Vanni dhe Giancarlo Lotti u dënuan përjetë dhe me 28 vjet burg, për vrasjet e kryera mes viteve 1981 dhe 1985.
Sipas autorit Gianluca Monastra, “është një çështje ku ka një valle tundimi dhe gjithnjë e më abstrakte hipotezash … një histori ku çdo gjë mund të duket e vërtetë, ashtu si edhe e kundërta e saj.” E mbushur me seks, obsesion dhe intriga (shumica e viktimave ishin çifte të rinj që bënin dashuri në periferi), kjo histori ka prodhuar një brez të tërë maniakësh hetimorë, të quajtur “monsterologë”. Dëshmia që shpesh zhdukej ose “shfaqej” papritur i ka bërë disa prej tyre të besojnë se vetë elementë të policisë ishin të përfshirë.
Këtë muaj, debati për identitetin e “Përbindëshit” do të ringjallet me daljen e miniserisë me katër pjesë të Stefano Sollima-s, The Monster of Florence, më 22 tetor në Netflix. Sollima, biri i regjisorit Sergio Sollima, është përqendruar vetëm në fillimin e historisë, në pistën sarde, duke e lënë historinë të hapur për një vazhdim.
Ngjarjet e vërteta janë të errëta.
Në vitin 1974, një çift që putheshin në makinë në Sagginale, në veri të Firences, u vranë mizorisht. Trupi i gruas ishte goditur 97 herë me thikë në zonën e gjoksit dhe të pubisit. Pastaj, heshtje – deri në shpërthimin e viteve 1980. “Përbindëshi” goditi dy herë në 1981, dhe më pas në 1982, 1983, 1984 dhe 1985. Në çdo vrasje u përdorën fishekë të të njëjtit tip Beretta H-series, dhe prerjet trupore bëheshin vetëm pas vrasjes me armë.
Në çdo rast, çiftet gjendeshin në makinë në momente intime. Burri vritej i pari. Gratë zakonisht sakatoheshin seksualisht. Në një rast, një pjesë e gjirit të një viktime iu dërgua me postë hetueses së vetme të ekipit. Të gjitha vrasjet ndodhën në zonat rurale pranë San Casciano-s, në veri dhe jugperëndim të Firences.
Por ndoshta historia nuk nis në 1974.
Në vitin 1982, një denoncim anonim çoi në lidhjen e armës së përdorur nga “Përbindëshi” me një krim të mëhershëm – në 1968, Barbara Locci dhe i dashuri i saj Antonio Lo Bianco ishin vrarë në makinë, ndërsa i biri i Loccit flinte në sediljen e pasme. Ata ishin “çifti i parë” – ose “i tetë”.
Burri i Loccit, Stefano Mele, u burgos për atë vrasje, por u përjashtua më pas si autor i vrasjeve të tjera. Mendohej se kishte bashkëpunëtorë sarde. Tre vëllezërit Vinci, të gjithë ish-të dashur të Barbara Loccit, ishin në qendër të dyshimeve. Njëri prej tyre, Salvatore Vinci, kishte qenë edhe i dashuri i burrit të saj!
Në vitin 1985, pasi u shpall i pafajshëm për vrasjen e gruas së tij të parë në vitin 1960, Salvatore Vinci u zhduk pa gjurmë.
Sollima, mjeshtër i serialeve kriminale italiane si Romanzo Criminale dhe Suburra, sjell këtë histori me një strukturë origjinale: katër episode, secili nga këndvështrimi i një personazhi tjetër – Mele, vëllait të tij Giovanni, dhe dy vëllezërve Vinci. E njëjta skenë shihet ndryshe çdo herë, duke e bërë shikuesin të dyshojë në perceptimet e veta.
Megjithatë, duke qëndruar vetëm te pista sarde, seriali ndoshta bie në të njëjtën grackë si hetuesit. Në vitin 1989, kjo pistë u braktis. Hetuesi Michele Giuttari, që drejtoi hetimet për shtatë vjet, beson se ajo ishte një “mashtrim i qëllimshëm”, ndërsa lidhja balistike mes vrasjeve të 1968-s dhe 1974-s kurrë nuk u provua.
Në fillim të viteve 2000, pas dënimit të Vanni-t dhe Lotti-t, Giuttari u përqendrua te ata që porositën vrasjet. Ai besonte se ekzistonte një nivel më i lartë, dhe se vrasjet ishin porositur për të siguruar pjesë trupore për rituale satanike. Ai zbuloi lidhje me prostitucionin dhe orgjitë e organizuara nga një “guru” sicilian, Salvatore Indovino, në San Casciano.
Në të njëjtën kohë, prokurori Giuliano Mignini e çoi hetimin në një drejtim tjetër. Dëshmitarë të ndryshëm përmendnin një mjek të përfshirë në krime, pa e përmendur me emër. Në vitin 1985, gjinekologu dhe masoni Francesco Narducci, 35 vjeç, u gjet i mbytur në Liqenin Trasimeno. Nuk u krye autopsi. Mignini e zhvarrosi trupin dhe deklaroi se ishte vrarë.
Vrasje të tjera misterioze nisën të shfaqeshin.
Në 1982, Elisabetta Ciabani, shoqe e një prej viktimave të vitit 1981, u gjet e copëtuar në dhomën e saj në Sicili.
Në 1993, Francesco Vinci u vra dhe u dogj në makinën e tij.
Vetëm disa ditë më pas, Milva Malatesta, e dashura e tij, u vra po ashtu – e djegur në makinë, bashkë me djalin e saj trevjeçar.
Lidhjet janë të shumta, por domethënia e tyre mbetet e paqartë. Familjarë të Malatestës pretenduan se disa nga hetuesit ishin vetë pjesëmarrës në orgjitë ku ajo ishte “flijuar”.
Në fund, gjithnjë e më shumë studiues të rastit pajtohen se “Përbindëshi” nuk ishte një njeri i vetëm, por një rrjet, një konspiracion. Vrasjet ishin ndoshta të shikuara nga të tjerë, pjesët e trupit të ndara dhe shpërndara. Në vitin 2019, dokumentari Monsters of Florence theksoi pikërisht këtë: “Tani më besojmë jo te një përbindësh, por te përbindësha.”
Të magjepsurit pas këtij rasti – prokurorë, gazetarë, film-bërës – shpesh humbasin në labirintin e hipotezave. Dëshmitë, lidhjet, emrat shtohen pafund, ndërsa e vërteta mbetet po aq e paarritshme sa në fillim.
Përbindëshi i Firences nuk është më vetëm një rast krimi: është një alegori për mashtrimin e së vërtetës.
Përgatiti për botim: L.Veizi
